E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urbanizimi i Laprakës, prishen 17 objekte pa leje

Bashkia e Tiranës nisi dje projektin për urbanizimin e Laprakës. Banorët përshëndesin fillimin e punimeve
Ky projekt synon të ndryshojë rrënjësisht të gjithë infrastrukturën e kësaj njësie. "Janë rreth 7 kilometra rrugë të cilat do të rehabilitohen, si në rrugën "Gjergj Legisi", "Lord Bajron", "Pandi Dardha", "Vangjel Noti", "Marin Barleti", "Riza Kuka", "Gjergj Kastrioti", "Rexhep Preza", pohojnë burime të Bashkisë.
Inspektorati i Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, ka zhvilluar dje një aksion për prishjen e 17 ndërtimeve të paligjshme në rrugën kryesore të Laprakës. I pranishëm gjatë aksionit ishte edhe kreu i bashkisë, Edi Rama. Sipas burimeve zyrtare të bashkisë së Tiranës, ky është projekti i financuar nga "Kooperacioni Italian" për urbanizimet parësore të Laprakës, i cili konsiston në rikonstruksionin e të gjitha segmenteve kryesore rrugore në këtë njësi. Në fakt, policia nuk ka hasur në asnjë rezistencë nga pronarët e subjekteve të prishura pasi ata kanë bërë largimin e objekteve para një dite. "Puna po vazhdon normalisht dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga pronarët. Prishja e këtyre ndërtimeve do të mundësojë zgjerimin e rrugës kryesore të Laprakës",- pohon njëri nga punonjësit e Inspektoratit të Ndërtimit në bashki. Madje shumë banorë të kësaj zone të cilët kanë ndjekur si spektatorë prishjen e këtyre ndërtimeve, janë shprehur të kënaqur që zona e Laprakës do të ketë rrugë më të gjera dhe të rehabilituara. "Prej disa vitesh, në rrugët e Laprakës nuk është vënë dorë. Jemi të kënaqur që tashmë këto rrugë tepër të amortizuara do të rehabilitohen",- pohon banorja Bedrie Hitaj. Ndërkohë burime pranë Bashkisë pohojnë se pas njoftimit prej disa kohësh tashmë të pronarëve të këtyre ndërtimeve pa leje, Inspektorati i Ndërtimit do ta vazhdojë këtë aksion edhe në pjesë të tjera të Laprakës në ditët në vijim, për t'i hapur kështu rrugë nisjes së projektit për rehabilitimin e Laprakës. Ky projekt synon të ndryshojë rrënjësisht të gjithë infrastrukturën e kësaj njësie. "Janë rreth 7 kilometra rrugë të cilat do të rehabilitohen, si në rrugën "Gjergj Legisi", "Lord Bajron", "Pandi Dardha", "Vangjel Noti", "Marin Barleti", "Riza Kuka", "Gjergj Kastrioti", "Rexhep Preza", pohojnë burime të bashkisë, duke shtuar se rehabilitimi do të përfshijë edhe rreth 5 kilometra kanale të ujërave të zeza dhe të kullimit të ujërave të shiut në rrugë, si dhe ndërtimin e 2 kilometrave ujësjellës të ri. Gjithashtu bëhet e ditur se financimi është një kredi e butë e Qeverisë Italiane, me një vlerë prej rreth 3.000.000 Eurosh, ku brenda saj janë mbuluar dhe shpenzimet e projektimit dhe të supervizionit të punimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›