E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juristët: Reforma zgjedhore, jo zgjidhje e minutës së fundit – PS të heqë dorë nga kushtëzimi me ndryshimet kushtetuese

07-08-2011 / Gazeta 55

Ekspertët e ligjit apelojnë për angazhim sa më parë të forcave politike për kryerjen e reformës zgjedhore. Sipas Kristaq Kumes, ish kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koha ka treguar se kanë dështuar zgjidhjet e minutës së fundit. Ai thotë se sesioni i ri parlamentar duhet të fokusohet tek kjo reformë, që duhet të bazohet kryekëput në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet. “Është koha, dhe me këtë nënkuptohet fillimi i punimeve të sesionit të ri parlamentar, në shtator. Tani, ne e dimë se cilat kanë qenë produktet e reformave të realizuara si zgjidhje të momentit të fundit. Por, veç kësaj është një nga kërkesat e vendosura edhe nga Bashkimi Evropian, në kuadër të përpjekjeve të vendit, në këtë fazë ku pritet të merret statusi i vendit kandidat”- u shpreh Kume.
Për zotin Kume, partizan i votimit elektronik, është koha e duhur për ta zbatuar atë në zgjedhjet e vitit 2013-ë. Një formë votimi që sipas do të mbyllte shumë debate politike që nxit mënyra aktuale e votimit. Unë e vlerësoj një zhvillim të tillë, nëse do të bihet dakord që të realizohet, si një zhvillim me prurje pozitive, veçanërisht të zvogëlimit në maksimum të të gjithë hapësirave, që mënyra e sotme e të votuarit krijon për të ndërhyrë në procesin e votimit dhe të numërimit të votave”- thotë Kume.
Eksperti i ligjit elektoral, nuk e fsheh skepticizmin për realizimin në kohë të reformës zgjedhore. Ai e lidh këtë me hedhjen rishtazi në tregun mediatik të propozimeve ende jo zyrtare të selisë rozë, për ndryshimet e reja në Kushtetutë. Ky zhvillim sipas tij, mund të mbajë peng reformën zgjedhore, e cila kërkon për tu miratuar edhe votat e opozitës.
“Ka filluar të ngjizet edhe kësaj radhe, zhvillimi i politikës sipas parimit: “të gjitha ose asgjë”. Ky është një parim i cili më shumë se çdo fushë tjetër të aktivitetit njerëzor, nuk sjell produkte në politikë. Në qoftë se reforma zgjedhore e radhës do të kushtëzohet me reformën Kushtetuese do të kushtëzohet me reformën legjislative në fusha të tjera, të cilat janë të nevojshme dhe duhen bërë. Unë do të thosha se ka pak gjasa që ajo të fillojë në kohë dhe të realizohet në kohë, ashtu siç ne të gjithë dëshirojmë, ashtu siç kërkohet të bëhet”- thotë më tej Kume. Reforma zgjedhore është bërë shpesh pjesë e deklaratave të forta të ndërkombëtarëve, të cilët kanë nënvizuar domosdoshmërinë e kryerjes sa më parë të saj, pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Mazhoranca është shprehur e gatshme të nisë menjëherë nga puna, duke i ofruar opozitës si koncension të hartojë të gjitha amendamentet për ligjin zgjedhor, pasi të jetë konsultuar më parë me OSBE/ODIHR dhe Komisionin e Venecias. Por, përfaqësuesit e Partisë Socialiste, nuk kanë mbajtur ende një qëndrim publik nëse do të angazhohen dhe kur, për kryerjen e kësaj reforme.
Ndërkaq, selia blu ka shprehur tashmë qëndrimin e saj refuzues ndaj kërkesës së socialistëve për ndërhyrjen në Kushtetutë. Mazhoranca është treguar e unifikuar ndaj tentativave të opozitës, për kthimin e Kushtetutës në vatër konflikti politik, ashtu siç konsumohej barbarisht 3 vjet më parë. Edhe aleati i saj më i ngushtë në qeverisje Lëvizja Socialiste për Integrim, ka kundërshtuar fort kërkesën e kreu të socialistëve, për një tjetër ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit, pas asaj të 21 prillit 2008-të, të cilën LSI e kontestoi fuqishëm. Ndryshimet e fundit në kushtetutë u realizuan në prill të vitit 2008, me konsensusin e dy partive të mëdha. Në atë kohë ndër të tjera u ndryshua mënyra e zgjedhjes së presidentit, duke u sanksionuar votimi me shumicë të thjeshtë. Tre vjet më pas Edi Rama i cilësoi ndryshimet një gabim, dhe në kuadrin e kursit të ri politik të opozitës tha se do të ndërmerret një nismë e re për të ndërhyrë sërish në librin themeltar të shtetit, por ende nuk ka një dokument të shkruar. Megjithatë, pritet me interes, lëvizja e radhës e Edi Ramës, i cili po përgatit një draft kërkesash sikur edhe ka paralajmëruar për ndryshimet e kushtetutës, për të kushtëzuar kështu dhënien e konsensusit në reforma, të cilat mbeten një kusht vendimtar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, brenda këtij viti. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›