Ekspertët ndërkombëtarë: Ekonomia shqiptare s’do preket nga kriza e borxheve

Agjencitë ndërkombëtare “Moody’s” dhe “Standard & Poor’s”, në të njëjtën ditë kur ulën vlerësimin e disa prej ekonomive më të mëdha të botës dhe paralajmëruan se kriza e borxheve mund të zgjasë, e vlerësuan ekonominë e Shqipërisë si stabël, që do të mund të garantojë rritjen ekonomike, përmes një besueshmërie të politikave të kreditimit
Agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të kreditit në analizën e fundit kanë dhënë opinion pozitiv për Shqipërinë. Sipas dy agjencive më të mëdha Moody-s dhe Standard & Poor’s, gjykohet se borxhi publik dhe deficiti buxhetor shqiptar, janë në nivel të pandryshuar dhe të mbajtura nën kontroll nga Ministria e Financave. Të dy kompanitë kanë raportuar në analizën e fundit, mbi ekonominë dhe financat tona, se ecuria është pozitive, ndërkohë që kanë konfirmuar nivelin aktual të kredisë në B1 dhe B+, që do të thotë një gjykim stabël. Vlerësimi i kompanive ndërkombëtare shpreh besimin e analistëve botërorë të riskut, për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare. Argumentet kryesore të të dy agjencive mbi nivelin stabël të ekonomisë, lidhen kryesisht me gjendjen e shëndoshë të ekonomisë shqiptare, potencialin e saj në periudha afatmesme dhe afatgjata, perspektiva për integrimin në Bashkimin Evropian dhe kuadrin ligjor që mbron investitorët dhe garanton me prioritet pagesat e huave. Standard & Poor’s thekson se ekonomia shqiptare ishte nga të vetmet ekonomi Evropiane që nuk pësoi rënie ekonomike dhe recension, por përkundrazi u rrit në mënyrë të qëndrueshme në sajë të politikave të efektshme makro-ekonomike të qeverisë. Standard & Poor’s, gjithashtu vlerëson se mbajtja nën kontroll e inflacionit, ishte një faktor i rëndësishëm i qëndrueshmërisë ekonomike të vendit, gjatë periudhës së krizës ndërkombëtare. Vlerësimi i borxhit, u hap rrugën investitorëve. Agjencitë e mëdha të vlerësimit kategorizojnë nivelin e riskut që paraqesin titujt e borxhit, jo vetëm të emetuesve tregtarë siç janë firmat, por edhe të shteteve. Ndërkaq, Agjencia e vlerësimit të kredisë “Standard & Poor “ uli klasifikimin nga AAA në AA+ për Shtetet e Bashkuara përherë të parë në histori, duke bërë edhe një parashikim negativ. S&P tha dje vonë se bëri këtë ri-klasifikim pasi plani i Kongresit për shkurtimin e deficitit buxhetor që u miratua të martën nuk është i mjaftueshëm për të stabilizuar gjendjen debitore të vendit. Agjencia tha gjithashtu se ulja e klasifikimit pasqyron pikëpamjen e saj se “efektiviteti, stabiliteti dhe parashikueshmëria e hartimit të politikave dhe institucionet politike amerikane janë dobësuar në një kohë sfidash fiskale dhe ekonomike”. Mediat amerikane citojnë zyrtarë të Shtëpisë të Bardhë, të cilët kanë thënë se S&P nuk i ka bërë mirë parashikimet për planin e shkurtimit të borxhit amerikan me dy trilionë dollarë. Presidenti Obama dhe Kongresi amerikan arritën një marrëveshje para skadimit të afatit të martën për ngritjen e tavanit të borxhit prej 14.3 trilionë dollarësh, duke shmangur mospagimin e detyrimeve financiare të qeverisë. Marrëveshja parashikon uljen e deficitit me më shumë se dy trilionë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme. S&P kishte bërë thirrje për katër trilionë kursime.
...