E Shtunë, 31 Tetor 2026

120 mijë qytetarë të Beratit dhe Kuçovës do furnizohen me ujë të pijshëm pa ndërprerje

07-08-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha dhe ministri gjerman për Ekonominë Dirk Niebel, përurojnë nisjen e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Beratit dhe Kuçovës, një investim ky i Qeverisë gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim, me vlerë 6.6 milion euro

Kryeministri Sali Berisha dhe Ministri gjerman i ekonomisë, Dirk Niebel kanë udhëtuar dje së bashku drejt Beratit për të përuruar një tjetër vepër ku qeveria gjermane është bashkë financuese. Ata prenë shiritin e përfundimit të punimeve për fazën e parë të projektit për “Furnizimin me Ujë të Pijshëm” për qytetet e Beratit dhe Kuçovës me vlerë 15 milion euro. Faza e parë e projektit, bashkë financohet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim KfW me 6.6 milion euro dhe parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm, instalimin e matësave të ujit në qytetin e Beratit si edhe ndërtimin e linjës kryesore të furnizimit me ujë Berat-Kuçovë me një gjatësi prej 12 km. Projekti ka si qëllim t’i sigurojë popullatës, prej 120000 banorësh, një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm i cili përmbush të gjitha kriteret e një uji të pastër higjenikisht. Kryeministri Berisha vlerësoi angazhimin e KfË-së në drejtimin e një procesi që ka për qellim zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave në Shqipëri. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri Gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Neibel, ministri i Inovacionit dhe i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo, zv/ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ylli Manjani, Ambasadorja e Republikës Federale Gjermane në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, si edhe të tjerë funksionarë të lartë.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha falënderoi me shumë mirënjohje qeverinë gjermane, taksapaguesit gjerman, Kancelaren Merkel, për ndihmën e madhe bujare, që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në përpjekjen e tyre për të shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar, në një vend i cili ecën i sigurt drejt të ardhmes së saj Europiane.
Duke iu drejtuar ministrit gjerman Niebel, kryeministri Berisha theksoi se “para dy ditësh së bashku inauguruam një autostradë të një rëndësie të jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare të energjisë, e cila për nga rëndësia i jep lirisë së tregut dhe tregut energjetik një dimension të ri dhe në fakt ajo ishte vetëm pjesë e projekteve të mëdha që qeveria dhe vendi juaj financon në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë rrjetin energjetik më të përshtatshëm për bashkëpunim rajonal dhe për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit”. “Sot ne inaugurojmë këtu fazën e parë të ujësjellësit Berat-Kuçovë, projekt ky i kompletuar dhe i përfunduar me përgjegjësi të lartë dhe parametrat më të mirë nga kompanitë e ndërtimit dhe super vizorët, financim tërësisht i qeverisë gjermane.
Ky është një projekt simbolik edhe pse kushton rreth 15 milionë euro, pasi qindra e qindra milionë euro të tjera janë  investuar në shumë projekte nga veriu në jug të  vendit”- u shpreh kreu i qeverisë Berisha.
Më tej, kreu i qeverisë falënderoi KfW për punën e shkëlqyer dhe për angazhimin e tyre që po drejtojnë një proces, i cili ashtu siç u shpreh kryeministri Berisha ka për qëllim zgjidhjen përfundimtare të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave në vendin tim. Në vijim të fjalës së tij kreu i qeverisë i ka bërë thirrje autoriteteve vendore duke u shprehur: “Mënyra më e mirë për t’i shprehur mirënjohjen taksapagueseve gjermane është të adoptojmë disiplinën dhe parametrat gjermane në menaxhimin e ujërave dhe kjo është pa diskutim mënyra me e mirë për t’i shprehur mirënjohjen ndaj tyre. U gëzova kur dëgjova drejtorin e kompanisë i cili na tregoi se sa ndërhyrje kishin bërë në mënyrë për të normalizuar furnizimin me ujë për Kuçovën. Qytetarëve tanë u mungonte furnizimi me ujë por tani më shumë se 95 për qind e shqiptarëve furnizohen me ujë të rrjedhshëm. Sigurisht jo 24 orë por të paktën kanë ujë të rrjedhshëm. Por është themelore për ne të angazhohemi për një menaxhim nga më të mirët”- u shpreh kryeministri Berisha.
Për ministrin gjerman të Ekonomisë, Dirk Niebel “bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988, e deri me sot janë akorduar mbi një miliard euro për projekte investimesh në gjithë Shqipërinë, gjysma prej të cilave janë dhënë në kuadër të Bashkëpunimit Financiar që implementohet nga KfW”. “Vetëm ne sektorin e ujësjellës-kanalizimeve Qeveria Gjermane ka angazhuar rreth 230 milion euro”- theksoi Niebel.
Ministri gjerman vlerësoi transformimet që ka pësuar Shqipëria, duke shtuar se për një shoqëri demokratike mbetet thelbësore ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe sipas tij, këtë gjë Shqipëria e ka mbrojtur me seriozitet. Ai u shpreh se Gjermania do të vazhdojë të kontribuojë në të ardhmen me të tjera investime të rëndësishme në Shqipëri. 
Ndër të tjera në praninë e ministrit gjerman Niebel, kreu i qeverisë shqiptare Berisha, solli në vëmendje dhe anën historike të qytetit të Beratit, sepse ky projekt është i një rëndësie themelore në këtë vend të përjetshëm, siç e cilësoi Nibel qytetin e Beratit. “Historia thotë se është 2500 vjeçar por nëse kthehemi para në kohe do të gjejmë gjurmë edhe më të lashta. Ky vend është shumë i veçantë në trashëgiminë e vetë kulturore. Por një nga gjerat të shquara të këtij vendi është mënyra se si qytetarët e këtij vendi ruajtën jo vetëm qytetin e tyre por edhe librin. Njëri nga librat është trashëgimi kulturore botërore. Vjen nga shekulli i 6 dhe nuk u ruajt nëpër arkiva por në arkivat e familjes dhe u përçua gjeneratë pas gjenerate deri ditët e sotme. Dhe ky është Kodiku i Purpurtë i Beratit që sot është trashëgimi botërore. E theksova këtë sepse dëshiroj që taksapaguesit gjermanë të dinë se ku po investojnë. Paratë e tyre në këtë rast po shpenzohen për njerëz dhe për një vend që ka kontributin e vetë për njerëzimin tonë” - deklaroi më tej në fjalën tij, kreu i qeverisë Berisha.

Investimet gjermane në Shqipëri
Investimet gjermane në Shqipëri janë ndër më të rëndësishmet, ndërsa janë fokusuar kryesisht në infrastrukturë, energji dhe ujësjellës - kanalizime, me një shtrirje të gjerë nga veriu në jug. Dy ditë më parë, ministri gjerman dhe kryeparlamentarja Topalli, morën pjesë në prezantimin e projektit “Mbrojtja mjedisore e liqenit të Shkodrës”, me një vlerë 18 milionë euro, një bashkëfinancim i qeverive gjermane, austriake e zvicerane, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Ky investim siguron furnizimin me ujë, kanalizime dhe ujë te trajtuar sipas të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore te Shëndetësisë. Ndërkaq, ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Republikës Federale të Gjermanisë, Dirk Niebel, së bashku me Kryeministrin Berisha, inauguruan ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV Shqipëri-Mali i Zi, projekt ky me vlerë 43 milionë euro, financuar nga qeveria gjermane nëpërmjet bankës KfË, që konsiston në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV midis nënstacioneve Tirana2 (Shqipëri) dhe Podgoricë (Mali i Zi). Ndërsa dje,
kryeministri Berisha dhe ministri gjerman Niebel, inauguruan përfundimin e punimeve për fazën e parë të projektit “Furnizimi me Ujë të Pijshëm” për qytetet e Beratit dhe Kuçovës, pjesë e projektit “Furnizimi me ujë i Shqipërisë së Mesme”, i bashkë financuar nga qeveria gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW  Entwicklungsbank), me 11.2 milionë euro.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›