Çlirohet bunkeri – bashkia u kthehet qytetarëve

Për të dytën ditë me radhë kryebashkiaku Lulzim Basha takoi dhjetëra qytetarë në zyrën e tij të bashkisë së Tiranës, duke premtuar ruajtjen e kësaj praktike të komunikimit të zyrtarëve të bashkisë me qytetarët
Kryebashkiaku Lulzim Basha ka pritur edhe dje në zyrën e tij në bashkinë e Tiranës, dhjetëra qytetarë, të cilët kanë mundur të shprehin shqetësimet e tyre për çështje si punësimi, problemet me pronën, strehimi apo edhe infrastruktura. Pritja e qytetarëve ka nisur në orën 10:00 dhe ka zgjatur deri në orën 12:00. Në ditën e dytë të takimeve të hapura me qytetarët, Basha ka dëgjuar të tjera shqetësime të kryeqytetasve, ku kryefjalë ishte punësimi, por nuk mungonin as problemet me pronësinë, çështje kjo tejet sensitive për pronarët e ligjshëm. Të dy këto specifika kanë qenë motoja e fushatës elektorale të kryebashkiakut Basha. Në prani dhe të specialistëve të fushave të ndryshme të administratës së bashkisë, Lulzim Basha garantoi qytetarët për trajtimin me seriozitet dhe profesionalizëm të kërkesave të tyre si dhe dhënien e zgjidhjes për çdo problem imediat. Kësisoj, pas parashtrimit të shqetësimeve tek kryetari i Bashkisë, stafi i zotit Basha ka plotësuar një formular me të dhënat dhe kërkesat e qytetarëve, gjë e cila shërben për ndjekjen e problematikës që ata kanë dhe kontaktimin e tyre të mëtejshëm.
Për të dytën ditë me radhë, të renditur sipas listës emërore, dhjetëra qytetarë kanë patur mundësinë të takojnë në zyrën e tij, kryetarin e bashkisë Lulzim Basha dhe t’i shprehin atij drejtpërdrejt shqetësimet dhe problemet. Nga ana e tyre, qytetarët shprehen të bindur se kryetari i ri i bashkisë së Tiranës do jetë në gjendje t’i japë përgjigje problemeve të kryeqytetit, duke zhbërë kështu imazhin negativ të pushtetit vendor. “Jemi të lumtur që na erdhi kjo ditë që po futemi brenda, se kemi 2 vjet që rrimë vetëm tek dera dhe nuk marrim përgjigje. Ta dimë të paktën kur do ndahen ato shtëpitë që janë bërë për të pastrehët. Ky premtim na është bërë shumë vite më parë”- shprehet një qytetare.
Ndërsa një tjetër tregon “unë kam ardhur për punë dhe për shtëpi, për të takuar kryetarin. Për 12 vjet s’kemi mundur ta shohim Bashkinë me sy, mirë që na erdhi kjo ditë”- tha ai.
“Bashkia e Hapur” për qytetarët ishte dhe slogani i kryebashkiakut Basha gjatë fushatës elektorale të 2 muajve më parë. Lulzim Basha çeli dyert e bashkisë për shqetësimet dhe problemet e qytetarëve që javën e parë të ushtrimit të detyrës së kryebashkiakut.
Nisur nga fluksi i madh i kërkesave të qytetarëve për të takuar kryebashkiakun, Bashkia ka shtuar edhe ditët e takimit. Për të lënë një takim me kryetarin Basha, qytetarët duhet që më parë të drejtohen pranë zyrës së pritjes së Bashkisë, ku të plotësojnë një formular me të dhënat e përgjithshme personale dhe më pas do të kontaktohen nga stafi i kryetarit të Bashkisë për ditën e takimit. Duke u nisur nga kërkesat e shumta, zoti Basha ka caktuar ditën e mërkurë dhe të premte për të takuar qytetarët javës që vjen. Pas kësaj jave, dita e takimit të kreut të Bashkisë së Tiranës, me qytetarët do të jetë e premtja.
Plani i ri rregullues i Tiranës merr mbështetjen e ndërtuesve
Shoqata e ndërtuesve ka përkrahur idenë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për hartimin e një plani të ri rregullues në kryeqytet. Sipas drejtorit ekzekutiv të shoqatës së ndërtuesve, Maksim Muçi, megjithëse hartimi i këtij plani do të pengojë ndërtimet për një vit, deri në finalizimin e projektit për këtë plan, ai thotë se në kohën që kjo fazë të mbyllet, duhet të vijojë puna me zbatimin e lejeve të ndërtimit, të dhëna më parë nga KRT-ja e Bashksië së Tiranës. Po sipas kreut të ndërtuesve, Muçi, megjithëse gjatë dy viteve të fundit janë bllokuar lejet e ndërtimit nga Bashkia e Tiranës, kjo nuk ka sjellë rritje të çmimit të banesave. Kryebashkiaku Basha ka deklaruar se puna për planin e ri rregullues do të nisë pas 15 shtatorit.
Hipotekimi i apartamenteve: Shoqata e ndërtuesve i përgjigjet Bashës, gati ligji për dhënien e hipotekave
Brenda muajit nëntor të këtij viti, parashikohet që të përfundojë procesi i hipotekimit të apartamenteve të kryeqytetit. Shoqata e ndërtuesve po harton një projektligj të ri, i cili synon të eliminojë burokracitë që kanë penguar prej vitesh këtë proces. Drafti është në fazën e diskutimit, siç pohon dhe kreu i shoqatës së ndërtuesve. Sipas të cilit në muajin shtator do të dalë dhe versioni i fundit, për mënyrën se si do veprohet. “Na është hapur rruga dhe ne mund të paraqesim një draft, për zgjidhjen e këtij problemi. Ne kemi punuar për këtë draft si dhe kemi bërë dy mbledhje bordi, ku janë trajtuar të gjitha efektet e problematikës. Në aspektin e trajtimit ligjor të kë këtij drafti ka vështirësi që ne i kemi hasur dhe të cilat do të trajtohen në nivel me vendimin e Qeverisë. Jemi akoma në punë e sipër të hartimit të draftit ligjor”- shprehet në një deklaratë për mediat shoqata e ndërtuesve. Pjesa më e madhe e apartamenteve të reja në kryeqytet nuk kanë marrë hipotekat, pasi pallateve iu mungon leja e shfrytëzimit nga bashkia e Tiranës. Kjo e fundit, me një urdhër të kryetarit të ri Lulzim Basha vendosi të ofrojë bashkëpunimin me Ndërtuesit, Ministrinë e Financave apo ALUIZNIN, në mënyrë që ky proces të mbyllet në një kohë sa më të shpejtë. “Në vija të përgjithshme ka konsistuar në radhë të parë në mbledhjen e të gjithë materialit ligjor ekzistues që është dhe nga ana tjetër e gjithë problematika që lidhet me hipotekimin e pallateve. Është synuar që kjo problematikë të shikohet se si mund të adaptohet apo se farë ndryshimesh mund të bëhen në legjislacionin ekzistues” - thuhet më tej në deklaratën e Shoqatës së Ndërtuesve.
Njëherazi me procesin e legalizimit të banesave është bërë dhe ligji i faljes, kjo pasi ka qenë kusht se firmat nuk mund të kërkonin e hipotekën e pallatit pa shlyer më parë detyrimet tatimore. Detyrime këto që një pjesë e mirë janë falur.