Juve i falet Del Pieros, Roma e Lacio fitojnë in-extremis
Dikur ishte pjesë e një skuadre të mirëorganizuar, që dinte të mposhtte çdo kundërshtar, sot, Alesandro Del Piero është shpirti i bardhezinjve, duke u bërë njeriu më i rëndësishëm i grupit të Del Nerit, siç e tregoi edhe ndeshja e djeshme kundër Barit. Shënon një gol, bëhet pjesëmarrës tek i dyti, mbron deri në minutën e fundit dhe ndihmon skuadrën e tij të marrë një fitore me shumë vlera, në një ndeshje që doli të ishte më e vështirë sesa parashikimet. Ndeshja në Torino nis mjaft mirë për të besuarit e Del Nerit, që fitojnë menjëherë mesfushën dhe përpiqen të organizojnë lojën, por hasin vështirësi nga krahët, ku Krasiç e Pepe janë tërësisht në hije. Barezët nga ana tjetër presin kundërsulmin e duhur, për të shfrytëzuar shpejtësinë e Alvaresh, që në duel me Sorensein do të ishte shumë më i favorizuar. Sidoqoftë janë bardhezinjtë ata që kanë kontrollin, por rastet e vërteta në portën e mbrojtur nga Zhilet mungojnë. Kjo të paktën deri në minutën e 43-të, kur kapiteni juventin ekzekuton një goditje dënimi me mjeshtëri, duke e prehur topin në rrjetën e portës bareze. Me këtë rezultat, Juventusi e Bari shkojnë në dhomat e zhveshjes. Fraksioni i dytë nis ndryshe nga i pari. Juve kërkon të shënojë, por kësaj radhe Bari është shumë agresiv, duke synuar shumë në krahun e majtë të mesfushës, ku operon këmbëshpejti Alvaresh. Disa aksione të nisura, dhe në minutën 57-të vjen momenti i duhur. Sorensen, me karton të verdhë, nuk e pengon Alvareshin që depërton në zonë dhe gjen në qendër Rudolfin, që barazon lehtësisht. Këtu ndeshja bëhet “malore” për juventinët, që rrezikojnë të pësojnë edhe golin e dytë, nga nxitimi për të zbritur me të shpejtë në mesfushën kundërshtare. Megjithatë, barazimi do të zgjasë vetëm 20 minuta, kur pas një harkimi të Del Pieros në zonë, mbrojtja nuk spastron siç duhet dhe, Akuilani në hyrje të zonës godet rreptë duke mposhtur Zhilet. Me këtë rezultat mbaron krejt ndeshja që u jep 3 pikë me shumë vlera bardhezinjve.
Roma ka vuajtur shumë, por ka arritur të fitojë në fushën e Çezenës së Bogdanit. Ndonëse verdhekuqtë kanë pasur shumë mundësi për të shënuar, goli do të vonojë deri në minutën e 89-të, kur Pelegrino do të shënojë në portën e të tijve, pas një qëndrese vërtet heroike të të zotëve të shtëpisë. Sidoqoftë, një fitore e merituar për skuadrën e Ranierit, që në këtë ndeshje kishte vendosur nga minuta e parë kapitenin Françesko Toti.
Tjetër fitore e vështirë edhe ajo e Lacios. Skuadra bardhekaltër ka arritur të marrë maksimumin në një ndeshje ku ka qenë pak ngacmuese. Megjithatë, goli i shënuar nga çeku, Libor Kozhak, i ka dhënë 3 pikët skuadrës kryeqytetase ndaj Sampdorias, që mbërthen Napolin në vendin e dytë.
Një fitore me shumë vlera ka arritur Udineze, që masakron Xhenoan 2-4 në “Marasi” dhe shikon një dritë jeshile për një Kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Breshia ka ndezur shpresat për shpëtim, duke mundur Parmën në “Rigamonti”. Dy gola, nga një për çdo pjesë, kanë mjaftuar për vendësit për të marrë maksimumin ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në luftën për mbijetesë. Ndeshja e orës 12:30, ajo midis Kajliarit dhe Palermos, ndryshe nga parashikimet, ka parë të zotët e shtëpisë t’u imponohen siçilianëve. Matri, Akuafreska dhe Biondini e kanë zhvlerësuar golin e vetëm të miqve, të shënuar nga Pastore. Në takimet e ditës së shtunë, Napoli e Fiorentina u ndalën në një barazim 0-0, ndërsa Interi konfirmoi edhe njëherë se është kthyer me hap galopant drejt kreut, duke shpartalluar 4-1 Bolonjën në “San Siro”.