Si demaskoheshin " armiqtë e popullit" në publik
Diktatura e proletariatit shprehej në forma të ndryshme në funksion të zhvillimit të luftës së klasave. Këto forma ishin penale, administrative dhe këshillimore. Forma penale përfshinte burgosjen ose dënimin me vdekje të personit që akuzohej për veprat e agjitacionit, propagandës, tradhtisë ndaj atdheut, krijimit të organizatave kundërrevolucionare etj. Dënimi i formës administrative ishte ai dëbimit ose internimit, që ishte largim nga qendra e banimit, liri e kushtëzuar dhe marrëdhënie të punës në kushte rënduese. Mirëpo, përveç këtyre formave, edukimi komunist i masave kishte edhe formën e këshillimit e demaskimit. Mjaft dukuri të kohës viheshin në kritikë nëpërmjet formave të tilla publike si fletërrufetë apo mbledhjet e Frontit Demokratik. Për elementin “reaksionar” ishte rezervë edhe forma e demaskimit. Personi i piketuar, “i kursyer” nga burgu ose internimi për arsye të ndryshme (moshe, ngeje nga organet etj.), për t’i shërbyer çështjes, nxirrej para qendrës së punës ose lagjes ku banonte, për t’u demaskuar. Ky proces më së shumti i shërbente regjimit si shfaqje propagandistike, sesa personit që demaskohej. Kjo për arsyen e vetme se regjimi nuk e kishte për asnjë moment problem ta procedonte penalisht personin. Kësisoj, demaskimi zhvillohej në praninë e mjaft njerëzve të tubuar aty për të parë “rrugën e shtrembër” ku kishte hyrë i demaskuari, por edhe për të dëgjuar “autokritikën” e këtij të fundit, se nuk do të bënte më në të ardhmen veprime të tilla, se do ia shlyente me punë e nder partisë e gjëra si këto.
Rasti i mëposhtëm ka ndodhur në qytetin e Elbasanit në vitin 1977. Autoriteti i punëve të brendshme ka piketuar për të demaskuar një njëri në pension. Informacioni i shkon Komitetit të Partisë së Punës së Shqipërisë së atij rrethi. Pasi i bëhet biografia personit, përmenden disa nga deklaratat e tij që janë nxjerrë nga agjentura. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit i kërkon sekretarit të parë të Komitetit të PPSh-së së rrethit të miratojë demaskimin e personit përpara lagjes “11 nëntori” të atij qyteti, ose në të kundërtën personi të internohej. Demaskimi do kryhej në lagje. Atje do merrte pjesë i dërguari i Degës së Punëve të Brendshme, përfaqësuesi i Frontit të lagjes dhe përfaqësuesi i Komitetit të PPSh-së. Gjatë demaskimit flisnin të gjithë përfaqësuesit e ngarkuar si dhe “populli”, i cili kërkonte dënim të rreptë për “armiqtë e klasës”. Raporti i mëposhtëm, është miratuar nga sekretari i parë i Komitetit të PPSh-së dhe personi u demaskua. Në thelb, demaskimi ishte poshtërim publik i personit.
***
Raporti i 16 marsit 1977
Lënda: Relacion për demaskimin e veprimtarisë armiqësore në agjitacion e propagandë të Hamza Xhindolit në lagjen “11 nëntori” në Elbasan
Sekretarit të parë të Komitetit të Partisë
Shokut Piro Kondi
Për veprimtarinë armiqësore që ka zhvilluar, në kohë, vende e persona të ndryshëm, kundër pushtetit popullor, rendit tonë socialist dhe jetës gjoja të vështirë në vendin tonë, propozojmë të bëhet demaskimi para masës së popullit në lagjen “11 nëntori” Elbasan.
Hamza Xh. është i biri i Mustafait dhe Hajries, i vitlindjes 1914, lindur në fshatin Imesh të Rrethit Lushnjë, me banim në Elbasan, me arsim fillor, me profesion murator, ka punuar në ndërmarrjen komunale dhe aktualisht në pension, i martuar me fëmijë, i padënuar më parë, me origjinë shtresë e pasur i cilësuar kulak, me kombësi e shtetësi shqiptare.
Gjatë regjimit antipopullor të Zogut dhe okupacionit fashist në vendin tonë, si Hamzai dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë, për faktin se kanë qenë të lidhur ngushtë me ato regjime nga vetë përbërja klasore e tyre, kanë qenë shtresë e pasur dhe me influencë në fshat, kanë pasur sasi të konsiderueshme toke që e punonin me bujq hyzmeqar. Vetë Hamzai gjatë kësaj periudhe ka ushtruar profesionin e tregtarit.
Edhe gjatë luftës nacionalçlirimtare qëndrimi i tij dhe i familjes nuk ka qenë i mirë, mbasi kanë qenë të lidhur ngushtë me organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar. Një vëlla i tij Myftar Xh., ka qenë toger i ushtrisë fashiste, më vonë hidhet me lëvizjen nacionalçlirimtare në grupin “Myzeqeja” dhe qëndroi deri në çlirimin e plotë të vendit.
Mbas çlirimit familjarisht janë prekur rëndë nga reformat dhe në vitin 1950 janë cilësuar kulakë, titull të cilin e mbajnë edhe sot. Për t’i shpëtuar luftës së klasave, Hamzai shpërngulet nga fshati Imesh dhe vendoset me banim në rrethin e Durrësit, kurse në vitin 1955 vendoset në qytetin e Elbasanit, ku ndodhet edhe sot.
Vëllai i tij Myftari, mbas çlirimit lirohet nga ushtria si person i deklasuar dhe në vitin 1950 merr pjesë në grupin terrorist të kulakëve të Lushnjës, duke u dënuar me 15 vjet heqje lirie.
Vetë Hamzai gjatë kësaj periudhe nuk ka mbajtur qëndrim të mirë, ka zhvilluar veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit tonë. Nga të dhënat operative dhe legale që disponohen, del se këtë aktivitet e ka zhvilluar në periudha të ndryshme, sidomos nga viti 1970 e në vazhdim. Pikëpamjet e tij armiqësore drejtohen kundër vijës së partisë dhe udhëheqjes së saj, rendit tonë ekonomiko-shoqëror dhe gjoja jetës së vështirë te ne. Më konkretisht:
Nga të dhënat operative del se Haza Xh., në vende dhe me persona të ndryshuar, të jetë shprehur:
“Grupi i Beqir Ballukut nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe, por për një llafe goje i morën në qafë, të gjithë ata që janë në krye të partisë dhe qeverisë, nuk janë të kënaqur nga ky pushtet, prandaj dalin me radhë grupe kundër këtij sistemi”.
“Atë që po bëjnë këta kundër burokratizmit është një maskim sepse duan të heqin nga postet ata që kanë tradhtuar ...neve luftohemi nga këta që të bindet klasa e ulët e të mos dijë çfarë bëhet, këta me diktaturë po e mbajnë”.
“Luftën e klasave po e shtrëngojnë se kanë frikë nga populli se mos bëjë kryengritje. Tani e kanë marrë në dorë ata të mëdhenjtë dhe do nxjerrin në krye ndonjë gjë. Nuk dimë a do arrijmë ne kur të bëhet ndryshimi i qeverisë”.
“… të gjithë të mëdhenjtë janë përlyer në këto grupe, me përjashtim të dy kryesoreve. E keqja vjen nga vetë këta që kanë pozitë, se atyre u shkon populli vetë prapa, kurse ne nuk kemi gjë në dorë dhe nuk na dëgjon njeri”.
“… këta po i heqin në radhë avash-avash, se po t’i heqin menjëherë bëhet bujë, duan ta përmbysin aparatin e vjetër, mbasi janë të lidhur me grupet e ndryshme që kanë dalë… Beqir Balluku ka mbjellë farë të madhe që nuk shuhet kurrë.”
“… këta bënë bujë të madhe për projektkushtetutën e re, por siç e nisën në fillim nuk doli dhe mbasi u miratua, nuk morën asgjë të mirë, as rrogat e punëtorëve nuk u ngritën dhe asnjë ndihmë nuk iu dha fshatit, siç duket nuk i kanë punët në rregull.”
“… Ky kongresi i 7-të duket shumë i ftohtë, siç duket ka një përçarje në mes tyre, pjesa më e madhe e udhëheqësve ka tradhtuar dhe janë zëvendësuar me të rinj … aty në kongres u shtruan shumë gjëra, por të shohim a do të bëjmë ndonjë lirësi, bujqësisë do t’i japin forcë se ju intereson dhe nga ana tjetër do t’i shfrytëzojnë se do të punojnë nga 12 orë në ditë.”
“… qyteti nuk furnizohet si më parë nga fshati, sepse ata nuk kanë se çfarë të shesin, nuk kanë më bagëti, ata tani janë këputur fare … në dyqan nuk gjen as vaj, as sheqer, kërkesat e popullit nuk plotësohen … më përpara kishte ushqime të mira, kurse tani gjen në dyqan vetëm pras e lakër, nganjëherë edhe prasi bëhet me radhë në vend të mishit.”
“ … vetë këta po e bëjnë popullin të pakënaqur dhe nuk e kanë as vetë, sidomos fshatarësia po vuan, ua morën pasurinë dhe sot nuk është në gjendje nga ana ekonomike”, e të tjera komente.
Përveç materialeve operative që u përmendën më sipër, në organet tona ka bërë denoncim për veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës së zhvilluar nga Hamza Xhindoli edhe qytetari:
-Mehmet D. nga lagjja “Vullnetari” e qytetit Elbasan, i cili më datën 14.10.1976 ka denoncuar se Hamza Xh. në një bisedë që ka bërë me të është shprehur:
“ … ajo kohë vdiq dhe nuk vjen më tani, nuk kemi çfarë të bëjmë, kështu që fati jonë, sikur të dua unë të shkoj në fshat nuk më pranojnë se kanë qenë bej dhe po të të çojnë atje, do të thonë që erdhi beu përsëri në fshat… portretin e udhëheqësit Mao Ce Dun e kam varur në sallon, mbasi si të bjerë daullja, do të hedhim këmbët... Mao Ce Duni do të kujtohet disa ditë dhe më vonë do të harrohet si Stalini që vdiq dhe tani nuk e kujton njeri … Kongresi i 7-të ishalla nxjerr ndonjë amnisti për të falur të burgosurit”.
Siç shihet nga materialet që disponohen në ngarkim të Hamza Xhindolit, tregon qartë se i përmenduri në kohë, vende e persona të ndryshëm, ka zhvilluar në mënyrë sistematike veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit tonë popullor.
Prandaj, për të ndërprerë këtë lloj veprimtarie armiqësore, propozojmë që të bëhet demaskimi i tij para masës së popullit të lagjes “11 Nëntori” Elbasan, demaskim ky i cili do të ndikojë në mendimet e pikëpamjet e tyre, për të parandaluar veprimtarinë armiqësore në agjitacion e propagandë.
Mendojmë dhe propozojmë se në rast se gjatë demaskimit do të dalin fakte e prova që vërtetojnë veprimtarinë armiqësore të Hamza Xhindolit, të veprojmë për ta goditur në vend ose në të kundërtën, mbas demaskimit të propozojmë internimin e tij.
Lutemi, në qoftë se do të shikohet e arsyeshme nga ana Juaj, na vini në dijeni disa ditë më parë për datën ekzakte kur do të bëhet demaskimi i tij dhe kush do ta bëjë, me qëllim për të dërguar një kuadër të kësaj dege në vendin ku do të bëhet demaskimi.