E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus shpallet zyrtarisht kampione e Italisë

TORINO - Juventusi ka shënuar fitore me rezultatin 3-1 para tifozëve të saj ndaj Atalantës në ndeshjen e fundit sezonale, duke përmbylllur kështu sezonin pa asnjë humbje dhe duke e përshëndetur në mënyrën më të mirë legjendën Alessandro Del Piero.

Që në fillim bardhezinjtë bënë presion të jashtëzakonshëm, duke arritur deri te goli me anë të të riut Luca Marrone (10’).
Rezultatin e dyfishoi legjenda e klubit, Alessandro Del Piero (28’), i cili në mënyrën më të mirë u përshëndet nga tifozët në Juventus Arena.

Golin e nderit për mysafirët e Atalantës e shënoi Stefan Lichtsteiner, i cili realizoi në portën e gabuar për 2-1 (83’), teksa rezultatin përfundimtar prej 3-1 e vuri Andrea Barzaghli nga pika e 11-metërshit. (90’).

E gjithë ndeshja u zhvillua nën hijen e Alessandro Del Pieros, për të cilin ishin të gjitha ovacionet e tifozëve bardhezinj. Ikona e Zonjës së Vjetër zhvilloi ndeshjen e fundit në Serie A me fanellën e klubit, ku i kaloi 19 vite të karrierës së tij. Takimi i fundit zyrtar i ‘Pinturicchios’ me këtë klub do të jetë finalja e Kupës së Italisë kundër Napolit.

Juventusi e mbyll sezonin 2011/2012 në Serie A si kampion me 84 pikë, 65 gola të shënuar dhe 19 gola të pranuar, me 22 fitore, 15 barazime dhe asnjë humbje.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›