E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus, sot pret Realin. Ranieri: Ata janë favoritë

Nga Altin Latifi
Juventus-Real Madrid do të jetë kryesfida e Ligës së Kampioneve, që sot në mbrëmje do të zhvillojë ndeshjet e treta në grup. Skuadra italiane vjen në këtë takim me shumë mungesa dhe pas një forme aspak të mirë, ndërsa Reali ndodhet në kulmin e tij. Ndeshja do të jetë e vecantë për mbrojtësin Kanavaro, që pret të fishkëllehet nga tifozët italianë për largimin në vitin 2006. 

Mbrojtësi i Realit të Madridit Fabio Kanavaro deklaroi se është i vetëdijshëm që tifozët e Juventusit do ta fishkëllejnë kur të zbresë sot në mbrëmje në stadiumin Olimpiko të Torinos. Dy skuadrat përballen në ndeshjen e tretë në grupin H dhe për napoletanin është një rikthim në ekipin ku fitoi dy tituj kampionë, pavarësisht se më pas u hoqën. Kanavaro ishte një nga 7 futbollistët që e braktisën menjëherë skuadrën për shkak të rënies në Serinë B si rrjedhojë e Calciopolit. Në krahun tjetër, senatorët e tjerë si Nedved apo Del Piero vendosën të qëndrojnë. Reali do të kërkojë tre pikët sot në mbrëmje, duke përfituar edhe nga forma jo e mirë dhe dëmtimet e shumta që ka Juventusi. Lojtarë si Bufon, Trezege apo Kamoranezi, do të jenë jashtë. “Është e qartë se Reali i Madridit është një skuadër e madhe dhe është në pozicionet më të larta në renditjen e Champions League. Bernd Shuster ka një skuadër të aftë për të triumfuar këtë vit, ndërsa ne kemi shumë mungesa që të paktën tani nuk do të doja ti kishim”, deklaroi Klaudio Ranieri në konferencën e fundit për shtyp. Kapiteni Del Piero pranoi se Reali vjen në këtë ndeshje në kushte më të mira, pasi nuk ka probleme me dëmtimet.
Në krahun tjetër trajneri Bernd Shuster pranoi se gjërat nuk do të jenë të lehta për ekipin e tij, pavarësisht mungesave të shumta që ka kundërshtari. “Ranieri e di mirë se çfarë thotë kur flet për skuadrën e tij, megjithatë ne nuk jemi me aq fat sa flitet. Dua të them se gjërat nuk janë aq të thjeshta, pasi do të luajmë një ndeshje të vështirë ndaj një skuadre të madhe”, dellaroi Shuster. I pyetur nëse Kanavaro ka dhënë ndonjë informacion në lidhje me Juventusin, kapiteni Raul Gonzales u shpreh: Fabio nuk na ka thënë asgjë, pasi nuk është e nevojshme. Ne e njohim Juventusin shumë mirë, jemi të lumtur që kemi ardhur në këtë qytet dhe që do të luajmë ndaj Juventusit”. Trajneri Shuster do të ketë në dispozicion edhe holandezin Arjen Roben për takimin e sotëm, ndërsa Diarra e Guti do të mungojnë të dy. Pas dy ndeshjeve të para, Reali ka 6 pikë në grupin H, ndëra Juventus ndodhet në vend të dytë me 4 pikë.
(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›