Juventus zgjedh Benitez për pasues të Zakeronit
TORINO- Juventusi ka zgjedhur Rafa Benitez për pasues të Alberto Zakeronit. Mungojnë vetëm detajet, por akordi mes trajnerit spanjoll dhe klubit bardhezi duket se është arritur në takimin e e së premtes mes presidentit Zhan Klod Blank, njeriut të besuar të Xhon Elkan, Karlo Sant’Albano dhe prokuratorit të trajnerit spanjoll Kuilon. Javën e ardhshme presidenti i Juventusit do të shkojë në Angli, ku do të mbyllë marrëveshjen dhe të kthehet në Torino me firmën e Benitez. Në fakt, mbeten ende për t’u diskutuar disa detaje, por duket se palët kanë arritur akordin për pjesën kryesore, atë ekonomike. Benitez do të përfitojë një rrogë prej 4 milionë eurosh neto në sezon, plus 1 milion për stafin që do ta ndjekë në Torino. Problemi i vetëm mbetet shkëputja kontraktuale e spanjollit me klubin e Liverpulit, duke qenë se ai ka një kontratë deri në vitin 2014 me të. Me shumë mundësi, do të arrihet në një zgjidhje me konsensus të kontratës, në mënyrë që të dyja palët të mbeten të kënaqura. Benitez ndërkohë mund të marrë me vete në Torino dy “besnikët” e tij Maskerano e Kajt. Pas një sezoni tepër zhgënjyes, drejtuesit e Juventusit duan të ndryshojnë patjetër pamje. Bardhezinjtë ndodhen në vendin e 7-të në kampionat, duke arritur një rekord humbjesh, 13 vetëm në kampionat. Një tjetër ndryshim për Juventusin do të jetë edhe marrja e Bepe Marrotës në rolin e administratorit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)