Presidenti i FIFA-s kritikon Federatat Afrikane
Presidenti i FIFA-s Sep Blater, një nga mbështetësit më të mëdhenj të futbollit afrikan, ka kritikuar skuadrat e këtij kontinenti për ndryshimet e mëdha që kanë bërë përpara Kupës së Botës. Tre nga 5 kombëtaret afrikane që marrin pjesë në Botëror kanë ndryshuar trajner. Bregu i Fildishtë ka marrë Sven Goran Erikson, Nigeria suedezin tjetër Lars Lagerbak, ndërsa Afrika e Jugut mori Karlos Alberto Parreirën, duke larguar Xhoel Santanën. “Shumë nga futbollistët afrikanë luajnë në klubet e mëdha të Evropës dhe janë tashmë profesionistë, por ata kanë nevojë për vazhdueshmëri, - deklaroi Blater në selinë e FIFA-s në Gjenevë. – Si mund të kenë rezultate apo vazhdueshmëri këto kombëtare kur i ndryshojnë trajnerët vetëm pak muaj nga starti i Botërorit”, u shpreh më tej ai. Blater më pas foli edhe për kombëtaren e Afrikës së Jugut, pas miqësores që ajo barazoi 0-0 me Korenë e Veriut ditën e enjte. Numri 1 i futbollit botëror kritikoi stilin mbrojtës të saj, duke i kujtuar edhe trajnerit Parreira se në futboll po nuk shënove gol, rezultati nuk vjen. Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s Zherom Valke hodhi poshtë shqetësimet se shitja e biletave të Botërorit po zhvillohet shumë ngadalë. Ai tha se që prej 15 prillit, pra për 8 ditë, janë shitur 200 mijë bileta. Ai bëri të ditur se biletat e ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale janë shitur që tani. “Rreth 95 % e vendeve në të gjitha stadiumet do të jenë të zëna, ndërsa do të nxjerrim në treg edhe bileta rezervë për disa ndeshje, për të cilat biletat janë shitur shumë shpejt”, tha Valke’.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)