E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventusi mposht Palermon, ngjitet në krye të Serisë A

TIRANE-Juventusi ka “hequr qafe” Palermon, duke fituar 3-0 dhe duke marrë vendin e parë në renditjen e Serisë A. Edhe pse kishte 22 ditë pa luajtur, skuadra e Antonio Kontes duket se i ka mbajtur të “ngrohtë” motorrët, teksa ndaj siçilianëve gjërat kanë qenë më të lehta sesa priteshin. Pepe në pjesën e parë, Matri e Marçizio në të dytën, i kanë dhënë fund ecurisë negative që kishin bardhezinjtë në ndeshjet shtëpiake ndaj Palermos. Në një kampionat si ai italian, ku diferencat duken gjithnjë e më të vogla, Juve duket se ka një organikë në gjendje të fitojë titullin. Me Pirlon, Marçizion e Vidal në mesfushë, Matrin e Vuçiniç në sulm si edhe me një mbrojtje që duket ka rifituar besimin, “Zonja e Vjetër” kryeson me meritë. Gjithsesi, dy ndeshjet e radhës, me Lacion dhe Napolin, do të japin një përgjigje përfundimtare për këtë Juventus. Javën e ardhshme, në “Olimpiko”, është një përballje direkte për kreun, me Juven që do të synojë të marrë 3 pikët, siç ka bërë edhe me ekipet e tjera të mëdha këtë sezon.
Ndeshja
Bardhezinjve u mjaftuan 20 minuta që të gjenin avantazhin në ndeshjen e sotme. Krosi i ardhur nga e majta gjeti Simone Pepen, që e devijoi topin në rrjetë me kokë. Pirlo goditi shtyllën përpara fundit të pjesës së parë, ndërkohë që Palermo krijoi dy mundësi të mira, që u neutralizuan nga Bufon. Tre minuta nga nisja e të dytës ishte Matri ai që dyfishoi shifrat. Topi i gjatë i Lishtajner gjeti ish-sulmuesin e Kaljarit, i cili përfitoi edhe nga gabimi i Çetos për të shënuar me një të djathtë të pakapshme për portierin Çorvas. Më pas është Marçizio që mbyll ndeshjen, pas një finte të Matrit, në të cilën mesfushori shfaqet si një sulmues “race”. 3-0 ishte rezultati përfundimtar i kësaj sfide, që i dha Juves vendin e parë.
Seria A
Në takimet e tjera të luajtura sot, spikat humbja 2-0 e Udinezes përballë Parmës. Biabiani dhe Xhovinko me penallti realizuan dy herë në pjesën e dytë për skuadrën vendase, që e ka dominuar sfidën. Miqtë për çudi janë parë një skuadër e lodhur, duke mos krijuar raste si zakonisht. Ndërkohë, Çezena e Erjon Bogdanit mori fitoren e parë në këtë edicion, duke mundur 1-0 Bolonjën në një derbi të krahinës. Sfida u vendos nga një gol i Parolos pak minuta para fundit, kur ai goditi bukur nga jashtë zonës. Ndërkohë, Xhenoa arriti të thyente 1-0 Novarën në “Marassi”, duke lënë pas rezultatet jo të mira. Ndeshja ka qenë tepër e komplikuar si rrjedhojë e kartonit të kuq të Antonelit në fundin e pjesës së parë. Por, vendasit besuan dhe 10 minuta para fundit, Novara mbeti gjithashtu me 10 vetë. Migel Velozo shënoi golin e vetëm të kësaj sfide 4 minuta para fundit. Ndërkaq, Siena dhe Atalanta barazuan 2-2 mes tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›