Juventusi rimerr vendin e parë
Bardhezinjtë e Antoni Kontes nuk po njohin pengesa dhe dje kanë mposhtur Palermon 3-0 duke dominuar gjatë tërë 90 minutëshit. Pas humbjes që pësoi Udineze në Parma, Juve merr kreun ndonëse ka një ndeshje më pak
Juventusi nuk po di të ndalet. Ndonëse ishin të shumtë ata që përpara ndeshjesh ishin shprehur skeptikë për atë që torinezët do të shfaqnin në fushë pasi zbrisnin pas plot 22 ditësh, bardhezinjtë nuk kanë mëshiruar Palermon duke fituar pastër 3-0, por duke dominuar tërësisht. Skuadra e Antonio Kontes zbriti në fushën e lojës e vendosur dhe me dëshirën e duhur për t’ia dalë mbanë dhe në “Juventus Stadium” përpara tifozërisë së saj, që edhe dje kishte mbushur çdo cep të tij. Juve tashmë ka një fizionimi të konsoliduar, një formacion tip dhe një dëshirë të egër për sukses. Mbrojtësit e krahut funksionojnë, me Lihshtejnerin që shtyn dhe Kielnin që frenon (por që është i aftë edhe të firmosë asistin për Pepen), mesfusha ka cilësinë e Pirlos, lëvizjet në hapësia rë Markizios dhe agresivitetin e Vidalit. Aty përpara, Matri po shënon thuajse gjithnjë. Vuçiniç ka qejf që të shëtisë dhe kur e bën, Juvja fiton befasi. Mbetet për t’u riparë diçka në qendër të mbrojtjes, që në pjesën e parë dje ka ofruar tre topa për gol, por gjithsesi bëhet fjalë për mbrojtjen e dytë më të mirë në kampionat me 7 gola të pësuar, vetëm një më shumë sesa Udineze. Ndeshjet e radhës në shtëpinë e Lacios dhe të Naplit, do të japin përgjigjet që mungojnë. Ajo në “Olimpico” të shtunën e ardhshme do të jetë ndeshje për kreun, por Juvja po shkon me moralin në yje.
Ndeshja është argëtuese. Shumë raste për gol. Juvja bën ndeshjen dhe nuk kishte si të shkonte ndryshe. Lihshtejner është një furi në krahun e djathtë, Kielini bujar si askush në korsinë tjetër. Pirlo e Markizio garantojnë cilësi në mesfushë. Kaq mjafton për ta vënë në vështirësi Palermon, ndonëse Vuçiniç e Matri nuk janë në një ditë të frymëzuar. Kielini dhe Markizio nuk finalizojnë nga një rast për kokë, Bufon hipnotizon Iliçiç dhe pas këtij rasti vjen gloli bardhezi. Kros nga e majta i Kielinit dhe Pepe, i vetmuar në zonë shënon me kokë për shifrat 1-0.
Juvja insiston: Vuçiniç humbet një rast të artë dhe më pas Pirlo godet shtyllën, por goli i parë me Juventusin për ish-milanistin duket se nuk ka ndërmend që të vijë. Por Palermo nuk rri vetëm duke parë. Problemi është se topat e mirë përfundojnë në këmbët e Iliçiç, që nuk ka ftohtësinë e qëndërsulmuesit. Bufon i thotë dy herë jo duke konfirmuar momentin e mirë po kalon. Në pjesën e dytë, Manxha lë në dhomat e zhveshjes Bertolon dhe fut Zahavin. Por Juvja gjen golin. Këtë radhë me Matrin. Këtë lojtar e sheh pak, por kur e sheh zakonisht feston golin ndaj kundërshtarit. Top në thellësi nga Lihshtejner dhe Matri mposht Corvas me një të djathtë diagonale dhe të saktë. Goli i pestë sezonal i Matrit dhe bëhet kryegolashënues i Juves, por mbërthehet pak minuta më pas nga Markizio, që si mesfushor që është, realizon në vend të qendërsulmuesit… Torinezi lëviz mirë pa top, shfrytëzon finten inteligjente të Matrit dhe shënon lehtë 3-0. Juventusi tani është bërë si ortek. Tifozët po shijojnë vendin e parë në klasifikim, ndonëse kanë një ndeshje më pak sesa Lacio.
Serie A
Rezultatet
Të shtunën
Inter – Kajliari 2-1
Napoli – Lacio 0-0
Fiorentina – Milan 0-0
Dje
Bolonja – Çezena 0-1
Xhenoa – Novara 1-0
Parma – Udineze 2-0
Siena – Atalanta 2-2
Katania – Kievo 1-2
Juventus – Palermo 3-0
Roma – Leçe X-X