E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensioni i vë flakën, fqinjët i shpëtojnë shtëpinë

Shkodër-Luhatjet e energjisë elektrike kanë shkaktuar zjarr tek një banesë në lagjen Shirokë të qytetit të Shkodrës, duke e shkrumbuar një pjesë të saj, ndërsa me ndihmën e fqinjëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit. Kanë qenë orët e para të mëngjesit të së dielës kur ka rënë zjarr në banesën ku jeton familja e Enver Xhakës, e përbërë nga 5 persona. Zjarri ka ardhur nga një shkëndijë elektrike e shfaqur pranë një pajisjeje elektroshtëpiake, ndërsa sipas banorëve luhatjet e tensionit kanë qenë të shumta në 24 orët e fundit. Në momentin e rënies së zjarrit, kryefamiljari ka qenë tek dyqani i tij jo larg banesës, ndërsa në shtëpi ndodheshin gruaja dhe 3 djemtë e tij. Pjesëtarët e familjes Xhaka kanë dalë jashtë shtëpisë pa u dëmtuar, ndërsa ndërhyrja e fqinjëve ka bërë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit që ka dëmtuar 40% të banesës duke shkaktuar një dëm prej 5 milionë lekësh të vjetra. Janë djegur orendi e pajisje në dhomën e ndenjes dhe atë të gatimit. Kjo banesë vitin e kaluar u përmbyt gjithashtu nga reshjet e shumta dhe dalja e liqenit, duke pësuar një tjetër dëm, për të cilin thonë se nuk janë kompensuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›