E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jyoti Basu, komunisti indian: Nxitja e Hrushovit për zhdukjen e Enverit

Jyoti Basu, ish lider komunist ne Indi

Jyoti Basu ishte një politikan i njohur i partisë komuniste në Indi. Ai njihet si ministri më jetëgjatë në regjimin komunist të shtetit të Bengalit (1977- 2000). Si të gjithë udhëheqësit komunistë të kohës ai ka hedhur në letër kujtimet e tij mbi jetën politike, ish- Bashkimin Sovjetik, vështirësitë e mbajtjes së regjimit etj.

Pjesa interesante në kujtimet e tij është momenti kur flitet për ish- bashkimin Sovjetik dhe Shqipërinë. Pikërisht në momentin që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BS-së ishin prishur. Basu ishte kritik ndaj BS-së së Stalinit.

Në vitin 1962 unë vizitova BS-në bashkë me dy komunistë të tjerë. Ne kishim ngritur një çështje shumë të rëndësishme në Këshillin Kombëtar: Përse qeveria e BS-së, në atë kohë ishte në pushtet Hrushovi, po i kërkonte popullit shqiptar që të hiqnin qafe qeverinë komuniste të Enverit?!, kështu shkruan Basu.

Në kujtimet e tij Basu shkruan se Partia Komuniste në Indi nuk mund të kuptonte se me çfarë të drejtë një shtet tjetër kërkonte t`i imponohej një populli në lidhje me udhëheqësit e tij politikë.

U mor vendimi që ne të tre të shkonim dhe të takonim teoricienin e tyre më të mirë, që në atë kohë ishte Suslov dhe historianin e tyre më të mirë që në atë kohë ishte Ponomariov. Pas një takimi që zgjati katër orë, ne i pyetëm në lidhje me çështjen shqiptare. Përgjigja e tyre ishte: Ju nuk e dini se çfarë propagande po bëhet në Shqipëri kundër nesh, pavarësisht se vendi drejtohet nga Partia Komuniste, kështu shkruan Basu në kujtimet e tij.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›