E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Shqiptaro-Amerikan uron Berishën

Gjithashtu Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan përmes Drejtorit Ekzekutiv, zotit Avni Mustafaj, ka shprehur urimet më të përzemërta për popullin shqiptar “për një proces zgjedhor që u vlerësua nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si i lirë dhe i ndershëm”.

Më tej në mesazhin e tij të urimit Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan përgëzon bashkëpunimin e forcave politike për përpilimin e ligjeve të reja në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.  “Këto ndryshime ligjore krijuan mundësinë që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme”, - ka vlerësuar, Avni Mustafaj, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan.

Po ashtu, ai tha se “të gjitha forcat politike meritojnë të vlerësohen për kontributin e tyre për të arritur standardet më të larta zgjedhore që janë zhvilluar deri tani në Shqipëri”. Zoti Mustafaj nga ana tjetër, konsideron se vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një progres të konsiderueshëm për sa i përket arritjes së standardeve të caktuara nga institucionet Euro-Atlantike, gjë që solli anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Zgjedhjet e 28 Qershorit, vijon mesazhi, janë një hap i madh përpara drejt procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) është një organizatë jo-fitimprurëse dhe jo qeveritare e përkushtuar ndaj mbrojtjes së çështjeve shqiptare, si dhe promovimit të paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan, me qëllim fuqizimin e  politikave demokratike dhe  inkurajimin e respektit për të drejtat e njeriut, duke ju përmbajtur programeve me karakter edukativ dhe zhvillues.

Ndërkohë, Berisha ka marrë urimet më të përzemërta edhe nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve të Malit të Zi me rastin e fitores së mandatit të dytë qeverisës nga zgjedhjet.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›