Tragjedi në Vlorë, babë e bijë mbyten në det
VLORË- E diela e plazhit është kthyer në një tragjedi për një familje nga Fieri pasi ujërat e detit i kanë marrë jetën babait dhe vajzës 15-vjeçare. Ngjarja është shënuar pranë zonës së bregdetit në afërsi të fshatit Delisuf, ku nga familja Çepele janë mbytur dy pjesëtarë. Familjarët ka nisur qetësisht plazhin dhe në një moment të caktuar, të dy fëmijët, vajza 15 vjeç dhe djali 13 vjeçar kanë hyrë në det. Ata duket se u janë gëzuar dallgëve, por lojërat me to janë bërë të rrezikshme, teksa janë tërhequr nga thellësia. Dallgët kanë rrëmbyer fëmijët dhe menjëherë prindërit kanë vrapuar drejt ujit ku gjendeshin fëmijët. Të dy bashkëshortët janë përpjekur të ndihmojnë fëmijët, por ndërsa është nxjerrë nga vështirësia djali, 41 vjeçari Kudret Çepele i është drejtuar zonës ku gjendej vajza e tij. Ai ka tentuar ta tërheqë të bijën 15- vjeçare, por dallgët kanë tërhequr babë e bijë dhe e ëma është nxjerrë në breg nga pushues të rastit. Babai është përpjekur të nxjerrë nga dallgët të bijën, Erisona, por ka qenë e pamundur. Madje forca e tyre ka përplasur edhe të atin dhe të dy trupat nuk janë parë më. Sapo kanë parë skenën pushues kanë njoftuar policinë dhe forcat detare të kufirit. Kanë qenë këto të fundit, të cilat kanë gjetur trupat pa jetë të dy familjarëve, fillimisht trupin e vajzës e më pas edhe trupin e 41- vjeçarit.
Të dy ata janë dërguar drejt morgut, ndërkohë që në spitalin rajonal të Vlorës u është dhënë ndihmë mjekësore dy familjarëve të tjerë. Bluzat e bardha pohojnë se gjendja e gruas ka qenë e rënduar, për shkak të rrezikut të mbytjes që pati në det, por edhe traumës që ka pësuar nga humbja e dy familjarëve. Ekspertiza mjeko ligjore ka nxjerrë si shkak të vdekjes, mbytjen në ujërat e detit, e cila ka qenë aksidentale. Moti i paqëndrueshëm këto ditë të fundjavës ka bërë që deti të jetë i dallgëzuar, fuqia e të cilave ka shënuar dy viktimat nga e njëjta familje