E Shtunë, 31 Tetor 2026

KALIMASHI OSE TE FSHEHESH DUART "E PASTRA"

Qeveria e "duarve të pastra" ia ka arritur të fshehë përkohësisht duart lidhur me një nga skandalet më të mëdha korruptive, atë të rrugës Durrës-Kukës, ku dyshohet se janë shpërdoruar mbi 230 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë. Duket se është një gafë me dashje procedurale e prokurorëve, ajo që ka detyruar edhe Gjykatën e Lartë të shpallë të pavlefshme akuzën e ngritur nga Prokuroria për Ministrin Lulzim Basha dhe ta pezullojë krejt çështjen. Por jo vetëm kaq. Edhe për vendimin e radhës së Gjykatës së Lartë, krejt në kundërshtim me precedentë të mëparshëm të po kësaj gjykate, po hidhen dyshime se është marrë nën një trysni të fortë të qarqeve të larta të politikës të interesuara jo për gjykimin, por për arkivimin e çështjes. Ndaj, ndërsa duket sikur është mbyllur një skandal, në fakt është hapur një tjetër edhe më i madh, ai i kapjes së drejtësisë nga politika, skandali i mungesës së drejtësisë, i mungesës së prokurorëve dhe gjykatësve të pavarur. Ajo që po ndodh me skandalin e Rrëshen-Kalimashit, është pohimi më alarmant se në Shqipëri është krijuar një shtresë, një oligarki politike dhe financiare që qëndron mbi ligjin, një konglomerat politik shumëngjyrësh që nuk mund të gjykohet për ato që bën edhe kur janë në shkelje të hapur të ligjit. Vërtet zëra nga prokuroria (por pse jo as edhe një titullar?) kanë pohuar për media të ndryshme se çështja do të rihetohet me të dalë në dritë prova të reja. Por, ndërkaq bëhet e qartë se asgjë nuk mund të ndodhë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Kështu, qeverisja e duarve "të pastra" arriti një fitore politike për të mos treguar duart, ndërsa përgatitet të hyjë në fushatë. Dhe vërtet, cili është ai ministër që dëshiron t‘ia tregojë pëllëmbët votuesve, aq më tepër kur ato janë pis? Sepse, vërtet ministri Basha i fshehu duart pas procedurave, por a thua i lau dot?

***

Ministri Basha u shfaq para mediave dhe sikundër pritej, denoncoi komplotin e prokurorisë, që së bashku me armiqtë e Atdheut në opozitë, kishin hedhur baltë prej dy vjetësh mbi rrugën patriotike dhe mbi kryepatriotin Basha. Por harroi të thoshte se njerëzit, populli, votuesit nuk kanë arritur të shohin akoma nëse i ka apo jo duart e pastra. Që të ndodhë një gjë e tillë duhet një proces i hollësishëm gjyqësor, ndërkohë që Basha nuk e fshihte dot buzëqeshjen e tij proverbiale, që një proces i tillë (sikundër e kishim edhe parathënë) nuk u zhvillua falë disa parregullsive procedurale. Basha i shpëtoi për momentit gjykimit dhe gjykatat e të gjitha niveleve, përfshi atë më të lartën, nuk mund të fajësohen dot se kanë zbatuar germë për germë ligjin, edhe pse ka raste të tjera të ngjashme kur të njëjtat gjykata, madje të njëjtit gjykatës, kanë vendosur ndryshe. Zhvillimi krijon dyshime të forta për presion të politikës, por megjithatë, procedurat janë të rëndësishme të zbatohen sipas ligjit, sepse korrektesa ndaj tyre, në shumicën e rasteve, i shërbejnë mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Por ndodh jo rrallë që procedurat të bëhen mbrojtëse edhe e zyrtarëve të korruptuar, madje edhe e banditëve dhe kriminelëve. Një gjë e tillë nuk është e rrallë as në botë dhe as në Shqipëri. Nuk është aspak çudi që në një të ardhme jo të largët, të dëgjojmë edhe për lirimin e ndonjë bande, vetëm sepse avokatët e të pandehurve arrijnë të shtyjnë gjykimin tej afateve të lejuara me ligj, duke mos u paraqitur në proces. Por a mos do të thotë kjo se banditët nuk janë më banditë? I ngjashëm është dhe rasti i ministrit Basha dhe kompani. Ata i shpëtuan për momentin gjykimit, drejtësisë, por kurrsesi gjykimit të moralit që nuk ka procedurë që ta ndalë.

***

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se lufta me botën e korrupsionit, aq më tepër kur ajo është edhe në qeveri, është shumë e vështirë dhe kërkon dedikim të jashtëzakonshëm të prokurorëve, gjyqtarëve ndaj interesit publik. Ndërkaq, edhe një qeveri dhe Kryeministri i saj, bëhen mbështetëse të luftës kundër korrupsionit kur shfaqin vullnet politik jo që t‘u shpëtojnë gjykimeve me procedura, jo t‘u shpëtojnë akuzave për korrupsion duke akuzuar prokurorët si të përdorur politikisht nga opozita apo djalli me brirë, por duke kërkuar me ngulm që të gjykohen në mënyrë që populli të shikojë me fakte se qeveria dhe ministrat e saj nuk janë të korruptuar. Kështu, ministrit Basha nuk duhet t‘i rikthehej buzëqeshja ngaqë disa mangësi procedure e bënë të pamundur që akuzat kundër tij të gjykoheshin nëse janë të vërteta apo jo. Për një ministër të ndershëm, mosgjykimi i akuzave që i bëhen, është dënimi më i madh që mund t‘i bëhet. Një ministër i papërlyer në korrupsion, ndryshe nga një "Al Kapone" që e sheh shpëtimin nga gjykimi te procedurat, do të kërkonte me çdo kusht që të gjykohej, do të bënte gjithçka që të gjykohej, do shkonte ta firmoste vetë aktin e njohjes me akuzën për t‘i hapur kështu rrugë gjykimit. Ministri Basha, së bashku me avokatët e tij, ka bërë pikërisht të kundërtën, ka bërë gjithçka që të mos gjykohet. Kjo ngjall vetvetiu dyshime të forta dhe është një arsye më shumë për të uruar largimin e qeverisë "Berisha" në zgjedhjet që afrojnë. Sepse është një qeverisje që haptazi nuk është e interesuar për drejtësinë. Rasti i Rrëshen-Kalimashit flet qartë. Mosfirmosja e aktit të njohjes me akuzën nga të akuzuarit (ministra, zëvendësministra dhe drejtorë drejtorish) për abuzime me detyrën në çështjen e Rrëshen-Kalimashit, së bashku me shkeljen fort komprometuese të ligjit nga prokurorët që nuk ua dërguan akuzat me postë të akuzuarve, u bë truku ligjor që bllokoi gjykimin e një nga skandaleve më të rënda në historinë e qeverisjeve të derisotme, ku madhësia e abuzimit thuhet se konkurron me madhësinë e investimit. Mjafton të mbahet parasysh se nga rreth 700 milionë euro që u deklarua kostoja e rrugës para më shumë se një viti nga ministri Olldashi, sot mendohet të ketë shkuar (të paktën kështu raportohet në media) mbi 1.5 miliardë euro. Është gati 1/10 e prodhimit të brendshëm vjetor të Shqipërisë vetëm në një rrugë! Dhe ashtu sikundër rruga Durrës-Kukës ka një rëndësi strategjike për kombin, ashtu edhe gjykimi i atyre që cilësohen nga prokuroria si afera korruptive të këtij investimi, ka rëndësi strategjike për drejtësinë. Nëse rruga do të lidhë Republikën e Shqipërisë me Kosovën dhe rajonin e Ballkanit, hedhja dritë në tunelet e errëta të korrupsionit të saj, do të lidhë Republikën e Shqipërisë me drejtësinë. Drejtësia e vërtetë nuk mund ta tolerojë korrupsionin, edhe kur ky bëhet për qëllime patriotike. Për drejtësinë janë të papranueshëm si "korrupsioni patriotik" i Bashës, ashtu edhe "kontrabanda patriotike" e naftës që deklaroi para disa vitesh Kryeministri Berisha. S‘ka dyshim se vendimi i Gjykatës së Lartë, edhe pse i drejtë, është një betejë e humbur për drejtësinë, për luftën kundër megakorrupsionit në qeverisje. Por le të shpresojmë jo humbja e krejt luftës. Shpresojmë se prokuroria do ta vazhdojë luftën, këtë herë pa lajthitje procedurale, për të hedhur dritë në tunelet e Rrëshen-Kalimashit. Do të jetë me rëndësi vitale për triumfin e drejtësisë. Sepse humbja e betejave në çështje të tilla si Rrëshen-Kalimashi apo Gërdeci, nëse ndodh që ato të mos gjykohen përfundimisht me pretekste procedurash, është humbje e luftës me botën e korrupsionit. Korrupsioni do të triumfojë dhe drejtësia do të vdesë. Dhe aty ku nuk ka drejtësi, nuk do të ketë as edhe liri. Dhe të bën përshtypje që opozita politike, "politika e re" nuk skandalizohet nga ky skandal ogurzi dhe disfatë e prokurorisë në pallatin e drejtësisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›