KB: Trafikantët me njerëz fitojnë 2.5 miliardë euro në vit
Zyra e OKB-së për Drogën dhe Kriminalitetin ose shkurtimisht UNODC, ka bërë të ditur se trafikantët me qenie njerëzore në botë përfitojnë rreth 2,5 miliardë euro në vit. Në raportin e UNODC theksohet se grupet e organizuara kriminale kontrollojnë më shumë se 140 mijë njerëz, kryesisht femra dhe fëmijë, që shfrytëzohen për qëllimet e tyre. Viktimat janë kryesisht nga Europa Lindore, Afrika dhe Amerika Latine. Ato braktisin shtëpitë e tyre pas premtimeve fallso apo mashtrimeve për punë dhe përfitime tjera. Sipas vlerësimeve të UNODC-së, gjatë viteve të fundit numri i viktimave është rritur me 50 për qind, për shkak se disa vende me vonesë kanë sjellë masat e ashpra për luftën kundër tregtisë me qenie njerëzore.