KDI deputetëve: Mos e miratoni ligjin për amnistinë

Një ditë para diskutimit në Parlament të ligjit për amnisti shoqëria civile po e kunërshton këtë. Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova, është e shqetësuar me përmbajtjen e Projektligjit për Amnistinë i cili është planifikuar për miratim në lexim të parë, në seancën e nesërme plenare të Kuvendit të Kosovës. Për këtë u është drejtuar medieve me një deklaratë.
“KDI konstaton se përmbajtja e tillë e këtij Projektligji është në kundërshtim të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe cenon sigurinë nacionale dhe interesin publik në Kosovë. Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë si sponzoruese e këtij projektligji, po tenton që përmes këtij projektligji të amnistojë një numër të madh të personave me precedente penale që janë pjesë e strukturave politike, institucionale apo edhe në pozita të larta publike”, thuhet në deklaratën e tyre.
Sipas tyre, duke u nisur nga fakti se ky Projektligj, është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës dhe kundër përpjekjeve për ndërtimin e shtetit ligjor, KDI iu bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta votojnë këtë projektligj dhe të njëjtin t’ia kthejnë qeverisë për ripunim.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu ka paraparë që kategori të veprave penale që do t’i nënshtrohen amnistisë të jenë edhe shumë vepra penale apo krime ordinere si: vjedhja, fajdeja, haraçi, etj, e të cilat kanë dëmtuar rëndë jetën e qytetarëve të Kosovës që nga paslufta e deri më tani. Gjithashtu amnistia e veprave penale që lidhen me krimet ekonomike, janë mesazhe tejet të dëmshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë”, thuhet më tej.
Ndërkaq pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile kanë paralajmëruar për sonte në orën 19:00 një debat me qytetarë në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë për ta kundërshtuar këtë ligj. Ata e kanë quajtur këtë ligj “ligji për amnisti i barabartë me legalizim të krimit”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke deshur që këtë ligj ta kaloj me nguti - pasi që është edhe rezultat i marrëveshjes së fundit me Serbinë. Kështu që ideja dhe kërkesa e Serbisë që të amnistohen kriminelët e veriut i ka pëlqy edhe Qeverisë së Kosovës dhe të mbi 80 deputetëve të shantazhuar, pasi që tani amnistinë për kriminel e kan zgjeru në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e këtij organizimi./Indeksonline./