S’ka rrezik për tërheqjen e njohjes nga Egjipti

Emri i vërtetë i asaj që po ndodhë në Egjipt është grusht-shtet. Kaq qartë ka folur një nga këshilltarët e Presidentit të këtij shteti, Mohamed Morsi, administrata e të cilit vendosi për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Mediat botërore po i përcjellin në çdo hap zhvillimet aktuale në Kajro, duke lënë të kuptohet se situata ka ngjajshmëri me momentet para se të jepte dorëheqje diktatori Hosni Mubarak.
Presidenti Morsi, përpos një numri jashtëzakonisht të madh të protestuesve në rrugë, kundër e ka edhe ushtrinë, e cila disa herë është kërcënuar se do të intervenojë në mbrojtje të protestuesve.
Dhuna që ka ndodhur deri më tash në mes të protestuesve kundër Morsit dhe atyre që janë pro pushtetit islamik ka marrë jetën e së paku 23 personave dhe ka lënë 200 të tjerë të lënduar.
Në Kosovë njohja nga Egjipti rregullisht është interpretuar si rezultat i rrëzimit nga pushteti të diktatorit Hosni Mubarak dhe ardhjes në pushtet të partisë që për bazë e ka Islamin politik. Protestat aktuale në Egjipt nisën me kundërshtimin e politikanëve islamist të “Vëllazërisë Muslimane” apo siç po quhet këtyre ditëve kundërshtimi i politikave të “vëllazërimit”. Mohamed Morsi ka qenë kandidat i “Vëllazërisë Muslimane” për President.
Ministria e Jashtme e Kosovës megjithatë vlerëson se çfarëdo të jetë epilogu i ngjarjeve aktuale në Egjipt, njohja nga vendi më i madh arab në botë nuk rrezikohet për asnjë moment.
Zëvendësministri i jashtëm, Petrit Selimi, ka numëruar për Indeksonline një mori arsyesh pse vendimi për njohjen nga Egjipti është i pakthyeshëm.
“Për çfarëdo arsye, nuk ka absolutisht asnjë rrezik për ndryshimin e vendimit për njohje sepse e para, vendimet e tilla janë rëndom të pakthyeshme. Egjipti përkundër situatës së brendshme është shtet serioz me diplomaci konstante dhe i njeh mirë zhvillimet në Kosovë dhe Balkan”, ka thënë përmes telefonit Selimi.
Përpos kësaj, numri dy i diplomacisë kosovare i tha Indeksonline se njohja e Kosovës nga Egjipti është një proces i gjatë që ka përfshirë spektrin e gjerë politik egjiptian.
Para zyrtarizimit të njohjes së Kosovës, një delegacion nga Ministria e Jashtme e Egjiptit ka qëndruar në Kosovë për të mësuar më shumë rreth mundësive të pranimit të kërkeses kosovare për njohje. Atëkohë delegacioni përbëhej nga tre ambasadorë që kanë punuar në MPJ-në egjiptiane edhe në kohën e regjimit të Mubarakut.