E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE 14.1 mld euro fond për reformat e integrimit, përfiton dhe Shqipëria

TIRANE-Bashkimi Evropian merr përsipër vazhdimin e fondeve për të ndihmuar tranzicionin në vendet e rajonit, mes të cilave dhe Shqipëria.
Kjo bëhet e ditur në një artikull të shkruar nga komisioneri për zgjerim, Shtefan Fyle, ku thuhet se Komisioni Europian propozon 14.1 miliardë euro për vitet 2014-2020 në mbështetje të reformave për vendet që duan të integrohen në BE. Por, Fyle thekson se më shumë se kurrë këto fonde duhet të adresohen drejtpërsëdrejti në përfitim të qytetarit.

“Komisioni Evropian aprovoi propozimin për të ripërtëritur mbështetjen e tij financiare të para-pranimit, pjesë e instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i cili do t'i japë formë të ardhmes së Shqipërisë dhe të të gjithë rajonit në vitet në vazhdim. Ne propozojmë një investim prej 14.1 miliardë Euro ndërmjet viteve 2014 dhe 2020, për të mbështetur reformat në vendet që duan të integrohen në BE. Kjo i shtohet shumës prej 11.5 miliardë Euro të cilën e kemi dhënë nga viti 2007 deri në 2013. Ky angazhim i ripërtërirë u jep mundësi të reja vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit për të zhvilluar ekonomitë e tyre, për të forcuar qeverisjen dhe për t'u përgatitur për anëtarësim të ardhshëm në Bashkimin Evropian”, citon Fyle.

Fyle thekson më tej se BE, me këtë propozim, jep një sinjal të qartë solidariteti dhe angazhimi të vazhdueshëm për integrimin Evropian, si dhe për mbështetje ndaj reformave demokratike.

Fyle shton se dera e BE do vijojë të qëndrojë hapur për gjithë vendet që plotësojnë kriteret.
“Pavarësisht vështirësive aktuale ekonomike, dera e BE-së qëndron e hapur për të gjitha vendet të cilat plotësojnë kriteret e nevojshme. Lidhur me krizën ekonomike, kjo tregon më shumë së kurrë më parë që ne kemi nevojë për një instrument të efektshëm për të ndihmuar tranzicionin e rajonit, i cili do të sjellë më shumë stabilitet dhe siguri në të gjithë Evropën”.

Sipas tij, në këtë formë BE do të vijojë të ruajë të njëjtin nivel financimesh deri në vitin 2020.
“Kjo është e gjitha ajo që përmban propozimi i ri. Ne marrim përsipër ruajtjen e të njëjtit nivel financimesh duke filluar nga dita e sotme deri në vitin 2020, për të siguruar mbështetje financiare afat-gjatë për procesin e reformave”, shprehet eurokomisioneri duke shtuar se “në të njëjtën kohë, ne propozojmë përmirësime konkrete në mënyrën se si do të shpërndahen këto fonde për të arritur rezultate akoma më të mira. Këto instrumente të reja do të na lejojnë t'u përgjigjemi akoma më mirë nevojave dhe synimeve të partnerëve tanë”.

Fyle deklaroi se me fondet që do të jepen do të inkurajohen projekte të cilat janë drejtpërsëdrejti në përfitim të qytetarëve, si për shembull një administratë dhe shërbime publike më të mira, një gjyqësor më të mirë dhe një luftë më të efektshme kundër krimit dhe korrupsionit, infrastrukturë të përmirësuar dhe mjedis më të shëndetshëm. “Së fundi, duam që asistenca e re të jetë më fleksibël, duke siguruar që fondet të mund të shpenzohen më mirë aty ku ekzistojnë nevojat dhe kapacitetet për t'i absorbuar ato”, shprehet eurokomisioneri.

Çfarë përmban programi për Shqipërinë?
“Shqipëria tashmë ka kufij detarë më të sigurt, pasi financimi i BE-së ka lejuar pajisjen me 7 mjete lundruese për Policinë Kufitare Shqiptare. Programi i ri IPA do të na lejojë të adresojmë më mirë nevojat specifike të Shqipërisë pasi do të sjellë më shumë financime për zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë. Mekanizmat novatore do të mundësojnë më tepër hua për infrastrukturën dhe reformat sociale nga bankat ndërkombëtare”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›