KE-Kosovë, rinis dialogu për Stabilizim-Asociimin

Zëdhënësja e Komisionit Evropian në Kosovë, Maja Pavloviç ka paralajmëruar fillimin e mundshëm të dialogut ndërmjet Brukselit dhe Prishtinës për procesin e liberalizimit të vizave.
Zonja Pavloviç tha se takimi që zhvillohet të mërkurën ndërmjet ekspertëve të Komisionit Evropian dhe atyre të qeverisë së Kosovës nuk mund të cilësohet si fillim i bisedimeve për këtë çështje.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian në Kosovë sqaroi se aspektet teknike që lidhen me regjimin e vizave do të jenë vetëm një nga temat që do të diskutohet në kuadër të takimit për Procesin e Stabilizimin Asociimit.
Dialogu i tillë, që më parë ishte quajtur Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim Asociimit, do të mbahet të mërkurën për herë të parë në Prishtinë me emrin dhe formatin e ri.
Për shkak të moszgjidhjes së statusit, BE-ja kishte formuar kohë më parë një mekanizëm të posaçëm që do të përbënte bazën për dialogun politik mes autoriteteve të Prishtinës dhe Brukselit.
Me propozimin e Komisionit Evropian në vjeshtën e kaluar, u vendos që Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim Asociimit nga ky vit të transformohet në Procesin e Stabilizim Asociimit.