Fullani: Ekonomia, rritje pozitive gjatë 2009-ës

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në analizën e 6-mujorit të dytë të vitit 2009-të ka deklaruar se ekonomia ka pasur rritje pozitive gjatë 2009-ës. Ai ka theksuar se norma e bazë e interesit mbetet e pandryshuar, 5.25%. Fullani pohoi se viti që lamë pas ishte një vit i vështirë ekonomik, por masat stimuluese rezultuan të sukseshme. "Viti që lamë pas ishte i vështirë në ekonomi. Por ne përballuam me sukses krizën. Masat stimuluese që morëm rezultuan të suksesshme", theksoi ai.
Guvernatori i BSH-së, tha se kriza ekonomike la gjurmë në zhvillimin ekonomik, por rritja ekonomike ka qenë pozitive. Sipas Fullanit, investimet publike kanë shënuar rënie, ndërsa investimet private janë tkurrur. Fullani nënvizoi se importet e eksportet kanë rënë.
Guvernatorit i Bankës së Shqipërisë tha se inflacioni ka tendencë rritëse, ndërkohë që në muajin dhejtor ishte 3.5%. Fullani pohoi se defiçiti buxhetor është 65 miliardë lekë.
Ai pohoi se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të kujdeshme.
Fullani theksoi se BSH mirëpret lëvizjet në buxhet. "Korrektimet në buxhet janë në linjë me kërkesat e BSH-së. Mendoj se lëvizja në buxhet është në kohën e duhur dhe shenjë e fortë ndërgjegjësimi që do i vlejë politikave të kujdesshme në të ardhmen", shtoi ai.