E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Shqipëria nuk i përmbushi kriteret për të liberalizuar vizat

"Shqipëria nuk i përmbushi kriteret për të liberalizuar vizat". Kështu është shprehur Komisioneri për Drejtësi i Bashkimit Europian, Zhak Barrot në një konferencë për shtyp. Ai ka propozuar të mërkurën zyrtarisht heqjen e vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, por ka theksuar se nga heqja e vizave nuk përfitojnë Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina.
Angazhimi qëndrueshëm i Komisionit Europian për të mundësuar udhëtimin pa viza për qytetarët e Ballkani Perëndimor u konfirmua me miratimin e propozimit për heqjen e vizave për shtetasit e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, dhe Serbisë. Propozimi i së mërkurës u mundëson shtetasve të këtyre tri vendeve të udhëtojnë drejt vendeve Shengen me pasaporta të reja biometrike. Propozimi i Komisionit Europian duhet të miratohet nga Këshilli pasi ky i fundit të jetë këshilluar me Parlamentin Europian. Komisioni do të ruajë përkushtimin e vet për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Shqipërisë, dhe Bosnjes dhe Hercegovinës. Megjithatë, këto shtete ende nuk i kanë përmbushur kushtet që duheshin për të qenë pjesë e propozimit të sotshëm. Nëse vazhdon ritmi i reformave dhe kushtet plotësohen, Komisioni do të mund të përpilonte një propozim të ri që do t'i përfshinte këto vende nga mesi i vitit 2010. "Shqipëria nuk i përmbushi kriteret, po ashtu edhe Bosnja. Kriteret ishin pasaportat biometrike dhe kontrolli i kufijve", u shpreh Barrot duke shtuar se BE do të vazhdojë të nxisë Shqipërinë dhe Bosnjën për t'i përbushur sa më parë këto standarde.
Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin në BE, Olli Rehn, u shpreh se këto vende duhet të kryejnë reformat duke theksuar se BE do të shtyjë për disa muaj liberalizimin e vizave për këto dy vende. Komisioni Europian ka propozuar sot që lehtësimi i regjimit të vizave me Bashkimin Europian për qytetarët e Serbisë, të Maqedonisë dhe Malit të Zi, të bëhet nga muaji janar. Komisioni theksoi se Shqipëria dhe Bosnja nuk ishin përfshirë në këtë proces, për shkak se nuk kanë filluar sistematikisht që të fusin në përdorim pasaportat biometrike. Komisioni e ka monitoruar imtësisht përgatitjen e vendeve. Kushtet janë po ato për çdo vend. Maqedonia i ka përmbushur kushtet e nevojshme. Heqja e vizave për Serbinë dhe Malin e Zi do të varet nga arritja e standardeve të mbetura të specifikuara në udhërrëfyesit përkatës brenda afatit të miratimit të këtij propozimi nga Këshilli. Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të vazhdojnë më tej me përpjekjet e tyre për të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni.
Në Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë vazhdon të ketë mangësi në kuadrin institucional për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në adresimin e dobësive procedurale të lëshimit të pasaportave, si edhe në fushat e menaxhimit të kufijve dhe migracionit. Vendimi i Komisonit duhet të ratifikohet nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së dhe nga Parlamenti Europian. Kosova mbetet jashtë Shengenit të bardhë, pasi sipas vlerësimeve të BE-së, nuk i plotëson kushtet. Në vjeshtën e këtij viti, priten ide rreth lehtësimit të regjimit të vizave për Kosovën, por jo edhe për liberalizimin e tyre. Në propozimin që u paraqit të mërkurën, po ashtu përcaktohet se heqja e vizave nuk do të vlejë për ata që do të pajisen me pasaporta biometrike të Serbisë - nga Qendra Koordinuese serbe, por që kanë vendbanim në Kosovë, sipas rezolutës 12 44. Kushtet teknike për liberalizimin e vizave nuk janë përmbushur ende brenda territorit të Kosovës. Prandaj, Komisioni do të punojë ngushtë me autoritetet Kosovare dhe ato Serbe për të diskutuar mundësitë e adresimit të çështjes së vizave në të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›