E Diel, 1 Nëntor 2026

KE alokon 3.47 mld euro për Ukrainën për dronë, raketa, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe avionë luftarakë

Komisioni Evropian ka njoftuar alokimin e 3.47 miliardë euro për Ukrainën, të destinuara kryesisht për blerjen e dronëve, raketave, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe avionëve luftarakë. Financimi është pjesë e një huaje të madhe mbrojtëse prej 90 miliardë eurosh në mbështetje të Ukrainës.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit dhe raportimeve të European Pravda, nga kjo tranxhë, 2.5 miliardë euro do të përdoren për të blerë 16 avionë Gripen E të prodhuar në Suedi.

Në vitin 2026, Suedia do t’i transferojë Ukrainës falas avionët Gripen të modeleve të mëparshme, ndërsa avionët e rinj pritet të arrijnë që në vitin 2027.

Gripen është një avion luftarak i gjeneratës së katërt, i lehtë, me një motor, supersonik dhe multifunksional. Ai është i pajisur me sisteme moderne të luftës elektronike, motor që arrin shpejtësi deri në 2.100–2.500 km/h, si dhe antena të avancuara për zbulimin e objektivave në distanca të gjata.

Avioni ka 10 pika fiksimi (hardpoints) dhe mund të mbajë një gamë të gjerë armatimesh, duke përfshirë raketat Meteor dhe IRIS-T, si dhe raketa të tjera ajër-ajër, ajër-tokë dhe bomba.

Ngarkesa luftarake arrin deri në 7.2 tonë, ndërsa pesha maksimale gjatë ngritjes është 16.5 tonë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›