E Diel, 1 Nëntor 2026

KE, investon 1.5 mln euro për policinë shqiptare

Kanë nisur punimet për ndërtimin e Akademisë së Policisë së Shtetit, financuar nga KE në vlerën 1.5 milion euro. Të pranishmit në këtë ceremoni përuruese e cilësuan investimin si shumë të rëndësishëm për policinë shqiptare dhe rritjen e efektshmërisë së saj. 

TIRANE- Nisin punimet për ndërtimin dhe ripërtëritjen e Akademisë së Policisë së Shtetit, financuar nga Komisioni Evropian në vlerën 1.5 milion euro. Në ceremoninë përuruese ishte i pranishëm Shefi i Delegacionit të KE-së, Ambasadori Helmuth Lohan dhe ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Ky i fundit i vlerësoi punimet të cilat synojnë përmirësimin e kushteve të punës së Policisë së Shtetit me ndikim ne detyrat e saj.

Ambasadori Lohan vuri në dukje disa çështje të lidhura fort me mirë-funksionimin e Policisë së Shtetit, siç janë kushtet e punës, anët legjislative, strukturore dhe burimet njerëzore, së bashku me vullnetin politik për të përdorur në mënyrë të drejtë dhe në masën e duhur mundësitë e policisë për zbatimin e ligjit, sigurinë dhe jetesë cilësore.
Në lidhje me rëndësinë e ndihmës qe Komisioni Evropian ofron, ambasadori Lohan tha se “përmirësimi i kushteve fizike të punës pritet të rrisë efektshmërinë e fushave të tjera të ndërhyrjes dhe në këtë mënyrë të ndikojë pozitivisht në kryerjen cilësore të detyrës se Policisë së Shtetit”.
Zgjedhjet e 2008 tha Lohan janë një test për profesionalizimin e policisë shqiptare. Ndërkaq Ministri i Brendshëm Bujar Nishani duke falënderuar për ndihmesën dhe gatishmërinë e treguar për të investuar, u shpreh se sfidat që ka përpara Policia e Shtetit, si lufta kundër krimit të organizuar, kontrolli dhe menaxhimi i kufijve, trafiku i qenieve njerëzore, nuk mund të kompletohen në se do të neglizhonim trajnimin e specializuar, sipas specifikave të legjislacionit aktual, të punonjësve të Policisë së shtetit. Në këtë aspekt Ministri Nishani vlerësoi eksperiencën dhe ndihmën e dhënë nga misionet PAMECA e ICITAP për konsolidimin e arsimimit policor. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›