E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shpronësimet në aksin Fushë- Prezë, Tabaku: Qeveria po nëpërkëmb të drejat e pronës

Shpronësimet në aksin Fushë- Prezë, kanë qenë objekt i një takimi mes deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me disa banorë të kësaj zone dhe Bërxullës. Ata kanë shprehur shqetësim, lidhur me shpronësimet që po bëhen në rrugën Thumanë- Kashar, ku pretendimet janë se nuk po respektohet prona e banorëve.

Sipas Tabakut, një rrugë me kosto me vlerë 1.3 mld euro me gjatësi 21 kilometra, duhet patjetër të ofrojë gjithë mundësitë për banorët dhe të mos ti nëpërkëmb të drejtat e tyre të pronës.

Deputetja e PD-së nënvizoi se ndonëse rruga ka nisur, ende nuk ka një plan të qartë dhe se qeveria nuk ka kryer dëgjesa publike.

“Sot, me banorët e zonës Bërxullë dhe Fushë-Prezë, të cilët janë të shqetësuar për shpronësimet, në lidhje me rrugën Thumanë- Kashar. Askush nga ne, përfshirë dhe banorët, nuk ka asnjë ankesë apo kundërshti me zhvillimin, askush nuk thotë që nuk duhet të ndërtohet. Po kur ka një kosto 61 mln euro/km katror pse shpronëson qytetarët me 4500 lek/metri katror?! Ndonëse rruga ka nisur, ende nuk ka një plan të qartë dhe qeveria nuk ka kryer dëgjesa publike. Projekti nuk është publikuar dhe pushteti vendor ka ngritur duart duke iu dorëzuar dëshirave të qeverisë pa i llogaritur banorët.”, shkruan Tabaku, në një postim të sajin në FB.

 Sipas saj, me të drejtë, banorët ankohen se vlera e shpronësimeve ka qenë më e lartë në 2006, kur u ndërtua rruga e Rinasit, se sa sot 16 vite më pas, pasi atëherë 1 metër katror shpronësohej për 9000 lek/metri katror.

 “Nuk mund të ketë zhvillim pa respektuar pronën, nuk mund të ketë asnjë investim nëse shkelet mundi dhe djersa e këtyre banorëve të vjetër të fshatrave të Tiranës. Një rrugë me kosto me vlerë 1.3 mld euro me gjatësi 21 kilometra duhet patjetër ti ofrojë gjithë mundësitë banorëve të mos ti nëpërkëmbet e drejta e tyre e pronës!’- shkruan Tabaku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›