KE kritikon Greqinë për minoritetin dhe emigrantët
Në raportin e publikuar nga Komisioni kundër Racizmit dhe Diskriminimit i Këshillit të Evropës, Greqia kritikohet ashpër për mosnjohjen e statusit të minoriteteve dhe shkeljeve të të drejtave të emigrantëve. Komisioni i tërheq veshin Greqisë për mosratifikimin e Protokollit 12 të Konventës së të Drejtave të Njeriut ndërsa legjislacioni i saj nuk njeh si krim racizmin dhe ksenofobinë. Përmenden sulmet raciste kundër emigrantëve, në mesin e tyre edhe ai kundër një shqiptari që humbi jetën nga dhuna e ushtruar ndaj tij në qytetin e Vollos. Problematike është edhe diskriminimi, që i bëhet emigrantëve në tregun e punës. Greqia vjen e para në Evropë pasi puna në të zezë arrin në 30-35 përqind të Produktit Kombëtar Bruto. Dhjetëra mijëra imigrantë bien viktima të diskriminimit në tregun e punës por autoritetet greke nuk kanë bërë asgjë për përballimin e problemit," thekson raporti duke bërë fjalë njëkohësisht dhe për raste kur imigrantëve ilegalë u refuzohet ofrimi i shërbimit shtetëror, nga personeli i spitaleve. Komisioni vlerëson hapat e përfshirjes në arsim dhe administratën shtetërore të myslimanëve, por tërheq vëmendjen për pengesat burokratike në ngritjen e xhamisë së premtuar në Athinë.