KE raport për Shqipërinë në muajin shkurt
06/01/2010 Situata paszgjedhore në qendër të vëzhgimit të reporterëve evropian
Raporti i Këshillit të Europës për Shqipërinë do të jetë një tjetër sinjal i qartë për klasën politike shqiptare. Pritet që ky raport të bëhet publik në muajin shkurt të këtij viti, duke përkuar në të njëjtën kohë me afrimin e afateve ligjore kur mandatet e deputetëve socialistë, të cilët nuk kanë bërë ende betimin në Kuvend, pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, do të quhen automatikisht të pavlefshme. Në këtë mënyrë, kjo periudhë do të rezervojë jo pak tension brenda radhëve të politikës shqiptare, duke mos bërë shumë dallime në të dyja kampet, si në atë blu, ashtu dhe në atë rozë. Pas takimeve që reporterët e KE-së zhvilluan në Tiranën zyrtare në nëntor të vitit të kaluar, mbetet tashmë vetëm publikimi i raportit zyrtar të këtij institucioni ndërkombëtar, ku në fokus veç të tjerave do të jetë dhe situata postpolitike në vend. Por pas publikimit të këtij raporti pritet që domosdoshmërisht sfondi politik të ketë një panoramë të ndryshme nga kjo e tanishmja, duke synuar që më në fund të zgjidhet ngërçi në të të cilin është përfshirë institucioni i parlamentit. Vizita e raporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit Evropian tregoi ndër të tjera gatishmërinë e këtij institucioni për të dhënë mbështetje për Shqipërinë në çështje me interes të përbashkët. Në fillim të vizitës së tyre ata u takuan me Kryetaren e Kuvendit dhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë takimit me këtë të fundit ata u informuan lidhur me ecurinë e shqyrtimit të ligjit të lustracionit, i njohur si “ligji dosjeve”, pas vendimit për këtë çështje të Komisionit të Venecies. Po kështu ata u pritën dhe nga Presidenti Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, zv.kryeministri Ilir Meta dhe nga kreu i Bashkisë sëTiranës, njëkohësisht kryetar i PS-së, Edi Rama. Në këto takime drejtuesit shqiptarë dhanë vlerësimet e tyre për çështje të ndryshme, duke mos harruar dhe procesin zgjedhor. Ndërkohë pas mbledhjes së të gjitha këtyre të dhënave të mara nga Tirana zyrtare reporterët i bënë me dije në KE, duke i hapur rrugë tashmë një tjetër procesi: atij të hartimit të raportit përfundimtar, i cili pritet të bëhet publik muajin e ardhshëm.
Vlerësimi
Raportuesit e Asamblesë Parlamentare të KE-së gjatë vizitës së tyre patën shprehur vlerësime për përparimin e bërë nga Shqipëria në drejtim të demokratizimit dhe konsolidimit të demokracisë dhe bashkëpunimit konstant dhe të efektshëm me Këshillin e Evropës. Gjithashtu ata vunë në dukje edhe nevojën e vazhdimësisë së reformave.
Qëndrimi
Në të gjitha takimet e zhvilluara gjatë nëntorit mes reporterëve të KE-së dhe drejtuesve të shtetit shqiptar u diskutua rreth procesit zgjedhor të zhvilluar më 28 qershor 2009. Por nga ana e tyre përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u shprehën se u qëndrojnë plotësisht raporteve të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet.