Arrestohet i riu, do të trafikonte 13 -vjeçaren
06/01/2010 Policia: Vajzën e kemi shpallur në kërkim, mendohet se është në Greqi. E humbur dhe motra
ELBASAN- Dy të rinj dyshohet se kanë trafikuar një 13-vjeçare nga Elbasani drejt Greqisë me qëllime përfitimi. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se pas denoncimit kanë nisur hetimet dhe brenda pak ditësh është arrestuar një 19-vjeçar, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.
Arrestimi
Seksioni kundër trafiqeve pranë drejtorisë së policisë ka ndaluar shtetasin Drilon Liçi, 19 vjeç, lindur në Poroçan të Gramshit dhe me banim në lagjen “Emin M.” të qytetit të Elbasanit. I riu 19-vjeçar akuzohet se në bashkëpunim me 20-vjeçarin Shpëtim B. me banim në Poroçan kanë trafikuar 13-vjeçaren me inicialet R.R me banim në lagjen “Emin Matraxhiu”. Disa ditë më parë dyshohet se 19-vjeçari ka mashtruar vajzën që banonte në të njëjtën lagje duke e marrë me vete. I ndihmuar nga një tjetër i ri nga fshati i tij i lindjes, janë nisur drejt Korçës ku mësohet se kanë kaluar kufirin. Ndërkohë që 19-vjeçari është kthyer pranë familjes, shoku i tij ndodhet ende jashtë shtetit. Familja e vajzës ka akuzuar dy të rinjtë për trafik të të miturës. Menjëherë kanë nisur hetimet. Pas arrestimit të 19-vjeçarit, agjentët kanë shpallur në kërkim shtetasin Shpëtim B. dhe po punojnë për kapjen e tyre. Dyshohet se dy personat kanë kaluar në rrugë tokësore dy femrat për në shtetin grek me qëllim trafikimin për lypje e prostitucion. Sipas policisë, ata kanë përdorur rrugë të paligjshme për t’i kaluar në anën tjetër të kufirit. Dy personat e përfshirë në këtë ngjarje do të përgjigjen aktualisht për veprat penale “trafikimi i femrave”, “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit e kryer në bashkëpunim”, që parashikohen nga nenet 114/b e 298 dhe 25 të Kodit Penal. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për vajzën e mitur, e cila dyshohet se aktualisht ndodhet në Greqi.
Me të edhe e motra
Agjentët janë duke hetuar pasi mendohet se bashkë me 13-vjeçaren është dërguar në Greqi me dëshirën e saj dhe motra e saj maxhorene. Sipas hetuesve, kjo gjë mbetet për t’u vërtetuar, pasi të gjendet 13-vjeçarja e shpallur e humbur që sipas policisë është trafikuar për në Greqi. Edhe për motrën ekziston e njëjta akuzë, por duke qenë madhore, akuzat mund të konfirmohen me kthimin e tyre në Shqipëri. Policia po heton edhe për rastin e dytë.