Berisha: Gjendja në kaskada në prag katastrofe
06/01/2010 Të evakuohen urgjentisht banorët, kërcënojnë seriozisht jetën e tyre. Ja masat
SHKODER- Kryeministri i vendit tonë, Sali Berisha, ka inspektuar sërish dje zonat e nën Shkodrës të prekura nga përmbytjet ku ka deklaruar se situata është tejet alarmante për shkak të reshjeve të shumta që parashikohen të bien edhe për disa ditë të tjera. Gjatë vëzhgimit nga afër të zonave të përmbytura, Kryeministri Berisha është shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, deputetë të Shkodrës dhe drejtuesve të pushtetit vendor.
Kryeministri
Duke parë rëndimin e situatës nga reshjet që kanë rifilluar që një natë më parë, Kryeministri Berisha ka zhvilluar në komunën Dajç një mbledhje urgjente me shtabin e emergjencës, ku ka dhënë dhe udhëzimet e rastit. Ndërkohë në takimet me banorët dhe nëpërmjet medias Berisha u ka kërkuar banorëve të zonave të përmbytura që të braktisin banesat e tyre dhe të strehohen në vendet e parashikuara nga shtabi i emergjencave. Duke e quajtur situatën në prag katastrofe natyrore Berisha bëri thirrje që të evakuohen urgjentisht gratë, fëmijët dhe pleqtë nga shtëpitë e tyre. Sipas Berishës, situata që po kalon zona e Shkodrës është një situatë e vështirë natyrore që ka gjunjëzuar dhe shtete më të fuqishme se i yni.
Në fakt Kryeministri Berisha kishte dhënë urdhër që katër ditë më parë që të evakuoheshin të gjitha banesat e fshatrave të komunave të përmbytura nga uji. Pavarësisht këtij urdhri dhe përpjekjeve të strukturave policore, ushtarake dhe të pushtetit vendor refuzuan lënien e shtëpive nga frika e vjedhjeve të bagëtive me të cilat jetonin, apo dhe të orendive elektroshtëpiake që i kishin blerë sipas tyre “me para gjaku”. Nisur nga përkeqësimi i situatës dhe rreziku i jetës së banorëve të fshatrave të përmbysur, Kryeministri Berisha ka ritheksuar se evakuimi i këtyre fshatrave të rrezikuara është i detyrueshëm. Ndërkohë Berisha ka theksuar se banorët duhet të jenë të qetë për pasojat e ekonomike dhe të mendojnë vetëm për shpëtimin e jetës, pasi qeveria do t’ua dëmshpërblejë të gjithë dëmet materiale që do pësojnë. Gjatë mbledhjes së organizuar në komunën Dajç me shtabin e emergjencave të prefekturës Shkodër, Kryeministri Berisha u shpreh tepër pesimist, pasi parashikimet e motit flasin për të paktën 10 ditë me reshje e stuhi të shumta.
Prag katastrofe
“Jemi në prag katastrofe ndaj gatishmëria duhet të jetë maksimale. Detyra jonë është të parandalojmë, detyra jonë është të parashikojmë, por evakuimi do fillojë, sepse ne brenda pak orëve mund të detyrohemi të dy ose trefishojmë shkarkimin, në varësi të kërkesës së ekspertëve. Të jem i sinqertë me ju, nuk do mund të ngadalësojmë asnjë kërkesë të ekspertëve. Janë ata që do të komandojnë, sepse atyre ua jep të drejtën rregulli dhe ata do të komandojnë portat dhe tunelet e shkarkimit”, vuri në dukje Kryeministri Berisha në komunën Dajç të Shkodrës ku ishte e pranishme Kryeparlamentarja Topalli dhe ministrat Basha e Imami.
Bazuar nga kjo analizë situatë me shtabin e emergjencave civile të prefekturës së Shkodrës, Kryeministri Berisha kërkoi angazhim maksimal të të gjitha strukturave për të realizuar evakuimin e menjëhershëm të të gjithë banorëve të zonave të përmbytura të Dajçit, Anës së Malit dhe Gurit të Zi në zonat rurale dhe të një pjesë të banorëve të lagjeve “Ajasëm”, “Bahçallek”, “Tophane”, “Zukth Kashta” të qytetit të Shkodrës. “Qeveria ka detyrat e veta dhe po merr të gjitha masat, për të cilat ne jemi mbledhur këtu. Ndërsa specialistët kanë detyrë të shmangin me çdo kusht, nëpërmjet manovrimit me tunelet dhe portat, një rrezik madhor për hidrocentralet”, tha Berisha.
Në zonat e përmbytura të Shkodrës aktualisht rreziku është shumë I madh vetëm po të vëzhgohen nga afër prurjet në kaskadat e lumit Drin për shkak të reshjeve të shiut që nga Alpet e deri poshtë tyre. Në këto kushte tre hidrocentralet që ndodhen në kaskadën e Drinit, Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës do të jenë të detyruar të bëjnë shkarkime masive uji çka do të sjellë detyrimisht dhe rritjen e nivelit të ujit nëpër zonat e përmbytura në kuotat të rrezikshme për jetën e banorëve.
Pavarësisht këtij urdhri dhe përpjekjeve të strukturave policore, ushtarake dhe të pushtetit vendor refuzuan lënien e shtëpive nga frika e vjedhjeve të bagëtive me të cilat jetonin, apo dhe të orendive elektroshtëpiake që i kishin blerë sipas tyre “me para gjaku”.
Berisha ka theksuar se banorët duhet të jenë të qetë për pasojat e ekonomike dhe të mendojnë vetëm për shpëtimin e jetës, pasi qeveria do t’ua dëmshpërblejë të gjithë dëmet materiale që do pësojnë. Gjatë mbledhjes së organizuar në komunën Dajç me shtabin e emergjencave të prefekturës Shkodër, Kryeministri Berisha u shpreh tepër pesimist, pasi parashikimet e motit flasin për të paktën 10 ditë me reshje e stuhi të shumta.