E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE shqyrton kërkesën për shkarkimin e Biberajt

Pavarësisht se çfarë vendimi do marrë byroja e Asamblese të hënën, vendimi është i detyrueshëm për t’u respektuar nga Parlamenti shqiptar. Biberaj pretendon se shkarkimi i tij është bërë krejtësisht në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit 

TIRANE-Të hënën shqyrtohet mandati i Biberajt në byronë parlamentare të Asamblesë Parlamentare. Procedurat e këtij institucioni për verifikimin e mandatit të Biberajt, apo të çdo anëtari tjetër të kësaj asambleje, shqyrtohen në përputhje me rregulloret e parlamenteve përkatëse. Ndërkohë, për Biberajn ka dhe një kërkesë pranë kësaj byroje për shkarkim. Kërkesa pritet të merret në shqyrtim nga vetë presidenti i Asamblesë, Luis Maria De Puik, të cilën e diskuton pikërisht në mbledhjen e byrosë dhe më pas, sipas rastit, kalohet dhe në asamblenë parlamentare. Çështja e Biberajt, ose diskutohet dhe merret vendim vetëm nga byroja, ose kërkohet votim në asamble. Diskutimi i kësaj çështjeje do të bëhet kryesisht në kuadrin, nëse kërkesa për shkarkim është bërë në bazë të të gjitha rregullave të funksionimit dhe organizimit të Kuvendit shqiptar apo jo. Biberaj pretendon se shkarkimi i tij është bërë krejtësisht në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit, është shkelur neni 7 i tij, i cili bën fjalë për përbërjen e delegacioneve të përhershme në organizatat ndërkombëtare. Pavarësisht se çfarë vendimi do të marrë kjo byro dhe kjo asamble të hënën, vendimi është i detyrueshëm për t’u respektuar nga Parlamenti shqiptar. Bëhet e ditur se delegacionit shqiptar vetëm dje pasdite, me anë të telefonit i është dhënë firma për të lëvizur për të hënën në asamblenë parlamentare. Delegacione të tilla, para se të lëvizin në seanca duhet të marrin firmën e kryetarit të Parlamentit. Anëtari tjetër i këtij delegacioni, Kastriot Islami bëri të ditur se do të niset drejt Brukselit të dielën, pasi mbledhja e byrosë, “ku do të diskutohen mandatet, është pikërisht në orën 11.00 të paradites dhe nëse do të nisesha të hënën, nuk do e arrija dot”. Ndërsa, pjesa tjetër e delegacionit konfirmon lëvizjen për në Bruksel të hënën në mëngjes.

Shkarkimi i Biberajt u iniciua nga kryetarja Topalli. Deputeti Biberaj një ditë më parë e ka cilësuar shkelje të rregullores së Kuvendit nismën e Topallit. Ndërsa, kjo e fundit e ka argumentuar kërkesën për shkarkimin e Biberajt, me abuzimet me financat e Kuvendit për shkak të udhëtimeve të paautorizuara nga Kuvendi drejt Strasburgut. ku mban dhe postin e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Debati pritet të ndizet më shumë në mbledhjen e grupit, ditën e hënë në mesditë, kur pritet të jenë të pranishëm edhe Berisha e Topalli.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›