E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënprefekti Lezhës godet me grushta gazetarin

Është goditur me grushta nga ana e Nënprefektit të Mirditës, korespondenti i gazetës “Telegraf”, Gjergj Mandreja. Shkak i këtij incidenti ka qenë shkrimi i gazete për vjedhjen e ndihmave që ka sjellë një TV gjerman me rastin e Vitit të Ri në Mirditë. 

LEZHE- Nënprefekti i Mirditës Gjon Pjetri, ka goditur në zyrën e tij, korespondentin e gazetës “Telegraf” Gjergj Mandreja, i cili është në moshën 64 vjeçare. Skandali ka ndodhur ditën e premte rreth mesditës, kur korespondenti i gazetës, Mandreja është thirrur në telefon nga nënprefekti Gjon Pjetri dhe i është kërkuar llogari atij në lidhje me një shkrimin e datës 22 janar që e kishte bërë për vjedhjen e ndihmave që ka sjellë një televizion gjerman me rastin e Vitit të Ri në Mirditë. Gazetari i ka thënë se “në atë shkrim nuk është prekur emri i nënprefektit”, por ky i fundit e ka qëlluar me grushta deri kur korrespondenti 64 vjeçar, ka rënë pa ndjenja.
Në një lidhje telefonike për televizionin “NEWS24” gazetari Mandreja tha se “më ka goditur rëndë, duke më dëmtuar syrin e majtë. Edhe pasi më la pa ndjenja vazhdonte të më godiste, gjatë gjithë kësaj situate unë nuk i jam kundërpërgjigjur nënprefektit”.
Më tej ai shtoi se ndjehet i frikësuar nga ky akt dhe se ditën e hënë do të bëj denoncimin e dhunës në rrethin e Rrëshenit, pasi në Lezhe “nuk mund të gjej dot drejtësi” është shprehur ai.
Prezente në ngjarje kanë qenë edhe dy nëpunëse të Gjendjes Civile, të cilat kanë tentuar të ndalin vrullin e nënprefektit, por ky fundit nuk i ka lejuar. Sot në fytyrën e gazetarit duken qartë shenjat e dhunës, pasi ai është me sy të nxirë dhe tërësisht i enjtur në kokë dhe fytyrë, ndërkohë që ka marrë raport mjekësor dhe po trajtohet me medikamente. Gjatë gjithë ngjarjes diktofoni i gazetarit ka qenë i hapur dhe gjithçka e ka të regjistruar.
(a.r/bews24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›