KED i ndalon gjyqtarit Alaudin Malaj kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në mbledhjen e sotme vendosi ndalimin e gjyqtarit Alaudin Malaj, për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga presidenti Begaj 31 tetorin e vitit të kaluar.
Ky vendim erdhi pas prezantimit të relacioneve të përgatitura nga relatorët, për kandidatët që kanë aplikuar për vendet vakante.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me përbërjen e re të zgjedhur me short nga Presidenti i Republikës, zhvilloi mbledhjen e tij të parë në ambientet e Gjykatës së Lartë gjatë së cilës realizoi procedurat e shortit elektronik për caktimin e anëtarëve relatorë për vendet vakante të cilat janë aktualisht në proces shqyrtimi pranë KED.
Më 4 dhjetor të vitit të kaluar, Presidenti publikoi kandidatët që kishin paraqitur interes për plotësimin e vakancës mes të cilëve edhe gjyqtari Malaj.
KED nga ana e vet caktoi relatore Ornela Naqellarin për kandidatët: Alaudin Malaj dhe Alban Toro.
Kandidatët e tjerë të përcjellë nga Presidenti janë Alban Toro, Alma Faskaj Vokopola, Arta Vorpsi, Brunilda Bara, Genci Gjonçaj, Jordan Daci, Lulzim Hamitaj, Naureda Llagami, Roland Ilia.