E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: Synimi ynë, brenda 2027-ës të mbyllim të 33 kapitujt e negociatave

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, së bashku me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtuesin politik të qarkut Tiranë, Taulant Balla zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e Vorës, ku në fokus ishte procesi i integrimit europian dhe zhvillimi i vendit.

Gjatë fjalës së saj, Koçiu e cilësoi objektivin “Shqipëria 2030 në BE” si sfidën më të madhe për vendin, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian përfaqëson vulosjen përfundimtare të përkatësisë europiane të Shqipërisë.

Ajo bëri të ditur se qeveria ka nisur një komunikim të përditshëm me qytetarët për të informuar mbi punët dhe reformat që po realizohen në të gjithë vendin, përfshirë edhe Vorën.

Sipas saj, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit, ndërsa informoi se aktualisht janë hapur 33 kapituj të negociatave me BE-në.

Koçiu theksoi se dy kapitujt themelorë, ai i drejtësisë dhe i sigurisë (kapitujt 23 dhe 24), janë drejt mbylljes brenda këtij viti, duke e konsideruar këtë një arritje të rëndësishme të reformave të ndërmarra.

Ajo shtoi se objektivi i qeverisë është mbyllja e të gjithë kapitujve deri në vitin 2027, duke shfrytëzuar momentin e favorshëm dhe mbështetjen e partnerëve europianë.

Duke folur për zhvillimet në Vorë, Koçiu u ndal te procesi i rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke theksuar se janë përfunduar mbi 400 banesa dhe rreth 60 të tjera janë në ndërtim. Ajo garantoi se procesi do të përmbyllet edhe në lagjen Marqinet

“Fondet e nevojshme për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 2019-ës në këtë lagje do të parashikohen në buxhetin e ardhshëm”, tha Koçiu.

Në lidhje me zhvillimin ekonomik, zëvendëskryeministrja nënvizoi se Shqipëria ka një ekonomi të qëndrueshme dhe kjo theksohet edhe në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare që monitorojnë vendin. Ajo përmendi rritjen e pagave dhe investimeve të huaja.

Sipas saj, paga mesatare në sektorin publik ka arritur në 1026 euro, ndërsa investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje të konsiderueshme, duke arritur në rreth 1.6 miliardë euro.

“PPB ka shkuar në 23 miliardë euro nga 10 miliardë euro që ishte në vitin 2013, ndërsa synimi ynë është që në vitin 2030 PPB të shkojë në 35 miliardë euro”, deklaroi zv/kryeministrja.

Koçiu theksoi se të gjithë këta tregues dëshmojnë për një ekonomi në zhvillim dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët për realizimin e objektivit madhor të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Sot jemi krenarë që dy kapitujt e parë janë gati për t’u mbyllur brenda këtij viti. Synimi ynë është që deri në vitin 2027 të mbyllim të 33 kapitujt dhe Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Ky është një moment që duhet shfrytëzuar, duke qenë të gjithë bashkë dhe duke punuar fort, sepse integrimi nuk arrihet me fjalë apo duke denigruar vendin, por vetëm me punë dhe bashkëpunim”, tha Koçiu. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›