E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi takon homologun kroat: Shqipëria do të vijojë rolin aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi sot në Zagreb takim me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić, gjatë të cilit u theksua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh në kuadër të aleancës së NATO-s.

Takimi konfirmoi afrimin e mëtejshëm mes dy vendeve si aleatë të NATO-s, si dhe angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropën Juglindore.

Gjatë diskutimeve, palët trajtuan çështje që lidhen me paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale, duke vlerësuar rëndësinë e koordinimit të përbashkët për përballimin e sfidave të reja të sigurisë.

Ministrat rikonfirmuan gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë ushtarake, si dhe për forcimin e ndërveprimit në kuadër të nismave rajonale.

Në këtë kontekst, u theksua edhe rëndësia e deklaratës trepalëshe Shqipëri-Kosovë-Kroaci, e cila synon rritjen e koordinimit strategjik dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, me fokus të veçantë në industrinë e mbrojtjes.

Ministri Nufi u shpreh se paqja mbetet themeli i çdo angazhimi dhe se Shqipëria do të vijojë të luajë një rol aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke forcuar marrëdhëniet me aleatët dhe duke thelluar koordinimin me Bashkimi Evropian, në funksion të integrimit euroatlantik.

Nga ana e tij, ministri kroat Anušić, vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe progresin e saj në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›