E Diel, 1 Nëntor 2026

KEDS-po dhe kabllorët rrezikojnë jetën e qytetarëve

Komuna e Vushtrrisë i është drejtuar me një shkresë KEDS-it, nga i cili kërkon që të ngrihen telat e rrymës elektrike që janë të vendosur nëpër shtylla. Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Sami Istrefi ka thënë se KEDS-i është duke e rrezikuar jetën e qytetarëve të Vushtrrisë.

“Është hera e dytë që ne kërkojmë që të ngrihen telat. Kërkesën e parë e kemi bërë para gjashtë muajsh, mirëpo duke parë situatën në terren pas djegieve të fundit, kemi vendosur që prapë t’i drejtohemi KEDS-it, por edhe IPKO-s dhe Kujtesës sepse edhe këto dy kompani nuk i kanë të vendosur telat sipas standardit të përcaktuar”, tha Istrefi për Veriu.info, duke treguar se një gjendje e tillë është në të gjitha lagjet e qytetit.

“Si pasojë e kësaj gjendje të keqe të rrjetit, është duke u rrezikuar siguria dhe jeta e qytetarëve të Vushtrrisë. Shembujt më të këqij janë në rrugët ‘Bahri Kuqi’, ‘Lumni Surdulli’, si dhe fshatrat Tërllabuq, Shallc, Bukosh, Oshlan, etj.”, tha ai.

“Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ligjore që ta mbrojmë jetën e qytetarëve, duke nxjerrë vendime për mënjanimin e kësaj dukurie. Këto vendime pikësëpari do të konsistojnë në gjoba ndaj këtyre kompanive, por nuk do të ndalemi vetëm në to”, ka thënë drejtori Istrefi.

Vesel Kurti, zyrtar i KEDS-it për rajonin e Mitrovicës, ka thënë se është e vërtetë që në një pjesë të Vushtrrisë lartësia e telave nuk është sipas standardeve, mirëpo, sipas tij, ka edhe pjesë të tjera ku telat e rrymës janë të vendosur në nivelin e duhur. I pyetur se a është shkaktuar djegia e një autobusi në Vushtrri me 2 gusht si pasojë e vendosjes së telave të rrymës nën nivelin e paraparë, Kurti ka thënë se “nuk është i njoftuar me detajet e rastit”.

Banorët e Vushtrrisë kanë treguar se në shumë raste kur kamionët hyjnë në lagjet e tyre, shoferët dhe qytetarët janë të detyruar që me mjete të ndryshme t’i ngritin telat e rrymës, sepse kalimi i automjeteve të mëdha nuk është i mundshëm. Kjo shihet edhe nga fotot e publikuara./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›