Ndërron jetë në Durrës 4-vjeçari nga Vushtrria

Ka ndërruar jetë në spital fëmija 4 vjeç, i aksidentuar nga një motor. Ndërkohë policia ka nisur hetimet. Blutë e Durrësit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të një lokali ku ndodhi përplasja e 4-vjeçarit dhe kanë marrë në pyetje 3 dëshmitarë okular të ngjarjes së rëndë. Fëmija është identifikuar me inicialet E.Z, nga Vushtria e Kosovës. 4-vjeçari kishte ardhur bashkë më familjen për pushimet verore në qytetin bregdetar. Në momentin e përplasjes ai ndodhej vetëm me një shok të tij.
Aksidenti
Një aksident i rëndë ndodhi mesditën e sotme tek Ura e Dajlanit në Durrës, ku një motoçikletë përplasi një fëmijë katërvjeçar. Mësohet se drejtuesi i motoçikletës u largua menjëherë nga vendngjarja, duke mos i ofruar ndihmën e parë mjekësore fëmijës.
Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që u afruan të parët, duke lajmëruar menjëherë ambulancën. Mësohet se 4-vjeçari u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit dhe është në gjendje mjaft të rëndë. Policia mbërriti në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të motoçikletës.