KEK-u mposhti Besën
KEK-u edhe njëherë dëshmoi se po kalon nëpër një formë të mirë në këtë fillim të stinorit pranveror.
‘Elektricistët’ të shtunën kanë shënuar fitore shumë të rëndësishme, pasi në Kastriot e kanë mposhtur Besën me rezultat bindës, 4:2, në ndeshjen e parë të xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në futboll. Vendasit kanë kaluar në epërsi prej 1:0 në minutën e 24-të, me golin që e ka shënuar Petrit Preniqi i cili morri një top nga Qëndrim Sejdiu.
Avantazhin në 2:0 për KEK-un e ngriti në minutën e 49-të goli që e realizoi Florim Bërbatovci.
Besa e ngushtoi avantazhin e KEK-ut në 2:1 në minutën e 50-të me golin që e realizoi Benard Berisha.
Pejanët në minutën e 62-të i barazuan shifrat në 2:2 me autogolin që e shënoj Ilir Izmaku.
Por, tre minuta më vonë vendasit e kthyen avantazhin në 3:2 me golin e Bërbatovcit, i cili shënoj për të dytën herë në këtë takim.
Fitoren KEK-ut ia ‘vulosi’ goli i minutës së 75-të, të cilin e ka shënuar Qëndrim Sejdiu, i cili po kalon nëpër një formë shumë të mirë. Kjo fitore mund ta ndihmoj KEK-un që sadopak t’i shmanget përfshirjes së saj në luftën për mbijetesë.