PDIU e shqetësuar me arrestimet e ish-luftëtarëve
Partia shqiptare Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), nëpërmes një komunikate shtypi, thotë se po ndjek me shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit në Kosovë, pas arrestimeve të disa drejtuesve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
PDIU është e bindur se EULEX, si një institucion i formuar nga partnerët e mëdhenj të kombit shqiptar do të zhvillojë një hetim të paanshëm, që do të rezultojë në zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe në pafajësinë e luftëtarëve për pavarësi.
PDIU ka besim të plotë në institucionet e drejtësisë, qofshin këto të shtetit të Kosovës, apo të partnerëve tanë që kanë mundësuar pavarësinë e Kosovës.
"Lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë, në krah të partnerëve tanë perëndimorë. Drejtësia ndërkombëtare ende nuk e ka thënë gjithçka për autorët, ideatorët dhe ekzekutorët e genocidit mbi shqiptarët që largoi nga vatrat etnike 1 milion vetë, vrau mbi 10 mijë, shkatërroi 120 000 shtëpi, etj", thekson PDIU.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet thekson se është në krah të luftëtarëve të UÇK-së dhe ka besim të plotë se këto akuza do të bien shumë shpejt si të pabaza dhe të paarsyetuara.