E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEK-u pengon punën e kameramanit

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka pranuar të enjten një informatë nga Agjencia e Pavarur e Lajmeve Kosovapress, sipas së cilës punëtorët e sigurimit të objektit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nuk e kanë lejuar kameramanen e kësaj agjencie, Florije Hoti, që të marrë pamje të këtij objekti, pas përfundimit të protestës së punëtorëve dhe as të shkojë në zyra për ta intervistuar kryetarin e sindikatës, Lazër Krasniqi.

AGPK e dënon këtë veprim të KEK-ut dhe konsideron se pengimi i gazetarëve në punën e tyre, nga kushdo që bëhet, paraqet shkelje të lirisë së shprehjes dhe mos transparencë, veprime këto që nuk i ndihmojnë konsolidimit të demokracisë në Kosovë.

“AGPK dënon këtë akt dhe akte të tjera të ngjashme, me të cilat pengohet kryerja e punës nga gazetarët. Gazetarët kanë të drejtë të kërkojnë informata, të interesohen dhe të publikojnë temat që ata i konsiderojnë se janë në interes të publikut”, thuhet në reagim.

AGPK iu bën thirrje të gjitha institucioneve publike që të jenë transparente në punën e tyre, në mënyrë që qytetarët në çdo kohë të jenë të informuar për gjithçka që ndodh në to. Ndërkaq, zyrtarëve të këtyre institucioneve iu bën thirrje për përgjegjësi e korrektësi në punën e tyre, përfundon reagimi i AGPK-së.

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) ka reaguar ndaj veprimeve të punëtorëve të sigurimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe urdhëresës së drejtorit menaxhues të kësaj kompanie, Arben Gjukaj, për ndalimin e punës së kameramanit të Agjencisë së Pavarur të Lajmeve Kosovapress që ka ndodhur të enjten, pas një proteste të SPEK-ut.

“UGK vazhdimisht kërkon nga KEK-u dhe institucionet publike të Kosovës, që të jenë më të vëmendshme dhe më transparent më raport me media.
Pengimi i punës ndaj kameramanit të Kosovapress-it, është një dëshmi se në Kosovës po pengohet puna e medieve”, thuhet në reagim.

Me këtë rast UGK kërkon nga KEK-u të marrë masa ndaj atyre që penguan punën e kameramanit të Agjencisë së Pavarur të Lajmeve Kosovapress.

Punëtorët e sigurimit të objektit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me urdhër të drejtorit menaxhues të kësaj kompanie, Arben Gjukaj, nuk e kanë lënë kameramanin e Kosovapress-it që të marrë pamje të këtij objekti pas përfundimit të protestës dhe as të shkojë në zyre për ta intervistuar kryetarin e sindikatës, Llazër Krasniqin.

Pas përfundimit të protestës së punëtorëve të KEK-ut, e cila u mbajt të enjten dhe zgjati vetëm disa minuta, kameramani i Kosovapress-it ka dashur të marrë pamje të objektit para të cilit është mbajtur protesta, si dhe të intervistojë kryetarin e sindikatës, Llazër Krasniqin.

Sigurimi i ka kërkuar kameramanit që të largohet nga objekti, pasi janë urdhëruar nga drejtori Arben Gjukaj që të mos lejohet asnjë gazetar të hyjë brenda, ndërsa punëtori tjetër i sigurimit nuk e ka lënë kameramanin as të marr pamje të jashtme të objektit, për të cilën gjë ai tha se duhet të merret leje speciale nga Viktor Buzhala.

Zyrtari për informim i KEK-ut, Viktor Buzhala ka deklaruar përmes telefonit për Kosovapress se asnjë gazetar nuk lejohet të hyjë në ambientet e KEK-ut pa leje të personit kompetent të KEK-ut.

“Nëse jeni të zotë kryeni detyrën nga jashtë, nga rruga”, ka thënë Buzhala. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›