Tritoli në banesën e avokatit, ende asnjë pistë

SHKODËR/ Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e vonë të së martës ka mbetur pa autor, ndërsa dyshimet lidhen me profesionin e Lepurit
Dhoma e Avokatisë së Shkodrës ka reaguar duke e quajtur veprimin si një "akt terrorist dhune"
SHKODËR - Policia nuk ka mundur të identifikojë autorin e vënies së lëndës plasëse në afërsi të apartamentit të avokatit Gjon Lepuri, ngjarje e ndodhur rreth orës 23:15 të së martës. Ekspertë të policisë së Shkodrës, por dhe të ardhur nga Tirana kanë bërë veprimet përkatëse në vendin e ngjarjes.
Mësohet se sasia e lëndës plasëse është vendosur tek shkallët pranë pragut të derës së apartamentit të avokatit Gjon Lepuri, 38 vjeç, në lagjen "Qemal Stafa" dhe sasia e saj mendohet të ketë qenë 400-500 gramë. Nga shpërthimi, i cili ka tronditur gjithë zonën, është dëmtuar banesa e avokatit Lepuri, si dhe janë dëmtuar dyer e dritare të gjithë hyrjes.
Banesa e avokatit Lepuri ndodhet në katin e tretë të një pallati 4-katësh, në hyrjen e parë në të majtë të rrugës drejt lagjes "Xhabije". Në momentin e shpërthimit familja ka qenë në banesë dhe avokati kishte vetëm 15 minuta që kishte mbërritur. Policia ka bërë menjëherë kontrollin e automjetit të avokatit, i cili ndodhej i parkuar jo larg pallatit të tij, pasi dyshohej se mund të ishte vënë lëndë plasëse edhe aty.
Ndonëse në mjet nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, hetimet e policisë janë shtrirë në pistën e profesionit të avokatit. Gjon Lepuri ka qenë gjykatës në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër dhe prej shumë vitesh ushtron detyrën e avokatit, ku ka përfaqësuar çështje penale e civile. Mësohet se vetë avokati ka thënë për policinë se nuk ka ndonjë konflikt të hapur me ndonjë person, ndërsa dyshimet janë për ndonjë hakmarrje të mundshme lidhur me profesionin e tij.
Lidhur me këtë ngjarje, Dhoma e Avokatisë në Shkodër ka reaguar duke e quajtur atë "një akt terrorist dhune ndaj pronës private të avokatit Gjon Lepuri, cenim të jetës dhe sigurisë së kësaj kategorie, e cila është në shërbim të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të individëve".
Në reagimin e Dhomës së Avokatisë Shkodër theksohet se "ky akt dhune cenon haptazi lirinë e mbrojtjes së qytetarëve, integritetin dhe sistemin e drejtësisë në tërësi". Sipas deklaratës së përbashkët të avokatëve në Shkodër, "ky profesion në Republikën e Shqipërisë është një profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar.
Avokati ndihmon palën ose të pandehurin që t'i garantohen të drejtat proceduriale dhe t'i ruhen interesat e tij ligjore", thuhet ndër të tjera në këtë reagim, i cili në mbyllje shpreh indinjatën për këtë akt barbar të ushtruar ndaj avokatit Lepuri dhe familjes së tij dhe i kërkon organeve përkatëse gjetjen sa më parë të autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Megjithëse i rrallë, ky akt nuk është një rast i izoluar i dhunës ndaj përfaqësuesve të ligjit dhe punonjësve të tij. Në vitin 2003 me eksploziv u dëmtua banesa e një gjyqtari në Shkodër, ndërsa dy vjet më vonë po me lëndë plasëse të vendosur në automjetin e tij, u dëmtua rëndë një punonjës i policisë së Shkodrës.