E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me ligj, arsimi i mesëm bëhet obligativ

Nga një shtatori i sivjetmë, do të fillojë të zbatohet Ligji për Arsimin Parauniversitar, i cili e bën arsimin e mesëm obligativ deri në moshën 18-vjeçare, si dhe qartëson bartjen e përgjegjësive nga Ministria e Arsimit tek komunat.

Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj, prezantoi sot në një konferencë me gazetarë elementet kryesore të këtij ligji.

“Qëllimi kryesor ka qenë dhe mbetet që ky ligj të jetë bazë për reformim të sistemit tonë arsimor. Mirëpo, nuk është fjala vetëm të hartojmë një ligj. Ne veç kemi filluar që t’i zbatojmë reformat, të cilat i parasheh ligji, me mbështetje të partnerëve tanë ne kemi një formulë të re financimit të sektorit parauniversitar. Në 13 komuna të Kosovës shkollat për herë të parë kanë nën llogari, kanë buxhetin e tyre dhe shumë përgjegjësi që ka pas MASHT kanë kaluar në komuna”, ka thënë ministri Hoxhaj, transmeton KosovaPress.

Po ashtu, ligji parasheh që të kemi shkolla të sigurta, reformën e kurrikulumit, ngritjen profesionale të mësimdhënësve dhe elementi i fundit i këtij ligji ka të bëjë me arsimin inkluziv, i cili nënkupton edukimin special për nxënës me aftësi të kufizuara dhe nxënës që kanë vështirësi në mësimnxënie.

Shefi i Bankës Botërore, Ranjit Najak, përgëzoi MASHT-në për rëndësinë që po i jep kualitetit dhe qasjes për të përmirësuar sektorin e edukimit, gjë të cilën ai e vlerësoi si shumë e rëndësishme për reformat.

Ndërsa shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, theksoi se investimi në edukim është shumë i rëndësishëm për të arritur vendi një shkallë të zhvillimit ekonomik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›