E Diel, 1 Nëntor 2026

KËRKESA/ Meta: Të mos mbahem në kafaz xhami gjatë seancës gjyqësore. Dua të jem në sallë krah avokatit

Ish presidenti i Republikës dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka kërkuar që të mos mbahet në kafaz xhami gjatë seancës gjyqësore për të.

Në kërkesën e tij, Meta shprehet se, kërkon të qëndrojë krah avokatit të tij.

Kjo është kërkesa e dytë në GJKKO për këtë çështje dhe vjen në një kohë që në 27 prill nis gjyqi në themel në Gjykatën e Posaçme, për dosjen e ish-Presidentit, pjesë e së cilës janë edhe të pandehur të tjerë.

Më herët, në dhjetor të vitit 2025, Meta në kërkesën drejtuar GJKKO-së që të mos qëndronte në kafaz xhami gjatë seancave gjyqësore, kishte theksuar se kjo ishte poshtëruese për të.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Ilir Meta qëndron në paraburgim që prej tetorit 2024.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›