KESH, 10 miliardë lekë borxhe do të shlyejë brenda 2010-s
Përmirësimi i treguesve financiarë të KESH-it krijon mundësitë që korporata të shlyejë borxhet që ka ndaj institucioneve shtetërore dhe atyre private. KESH ka një detyrim të pashlyer ndaj Ministrisë së Financave dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku, tha dje se korporata deri në fund të vitit pritet të shlyejë rreth 10 miliardë lekë borxhe ndaj OSSH-së dhe Ministrisë së Financave. Stojku bëri të ditur se deri më tash, KESH ka shlyer 6 miliardë lekë dhe deri në fund të vitit kjo shifër pritet të shkojë në 10 miliardë lekë. Sipas tij, kjo shifër përbën gati 50% të borxhit që KESH ka në tërësi. Ndërkaq ai ka pranuar problemet që ka kjo korporatë me OSSH-në. "Kemi probleme në marrëdhëniet me OSSH-në, për të cilat jemi duke negociuar për zgjidhjen e tyre, pasi ka mjaft çështje që duan kohë dhe teknikisht duhet të zgjidhen", - deklaroi Stojku.