KESH, hapet tenderi për Shpërndarjen
Qeveria shqiptare hapi dje dyert, për të pritur oferta për privatizimin e Sistemit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike. Ky është një privatizim që shihet si shpresë për të rikuperuar rreth 80 milionë euro në vit humbje joteknike të KESH. Në gazetën angleze “Financial Times”, dje u publikua njoftimi zyrtar. Në shitje janë 51 deri në 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes Sh.A., një kompani e re e sapokrijuar nga ndarja e KESH në tre kompani të ndryshme. Kandidati për blerjen e OSSH-së duhet të ketë eksperiencë në këtë fushë, si dhe mbi 500 mijë klientë ekzistues. Ai do të ketë për detyrë të blejë energji nga KESH përmes Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe t’ia shesë atë 900 mijë konsumatorëve të këtij produkti në vend. KESH realizon aktualisht të ardhura në rreth 200 milionë euro në vit. Të ardhurat pritet të rriten gjatë këtij viti, si pasojë e çmimeve më të larta. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifat e ndara për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen. Sipas ERE-s, OSSH-së i takon 2 deri në 2.6 lekë për çdo kilovat të shpërndarë. Në Shqipëri u konsumuan gjatë vitit të kaluar rreth 3.6 miliardë kWh, duke përjashtuar vjedhjet. OSSH, vlerësohet se do të jetë në të ardhmen një kompani me të ardhura prej minimalisht 80 milionë eurosh. Këto para rezultojnë të pamjaftueshme për mirëmbajtjen e rrjetit dhe zgjerimin e tij për të rritur cilësinë e furnizimit me energji.
Reformë ose falimentSipas një studimi të kryer nga konsulentët ndërkombëtarë në vitin 2001, Sistemi i Shpërndarjes ka një kosto margjinale, (për çdo kilovat shtesë të hedhur në rrjet) prej 4.1 lekësh për kWh, ose dy herë më shumë sesa tarifa ekzistuese e OST-së. Kjo kosto nënkupton investimet që nevojiten për të zgjeruar rrjetin ekzistues të shpërndarjes dhe për të garantuar furnizim me energji elektrike të rregullt për konsumatorët ekzistues dhe ato të rinj. KESH, ka njohur një rritje të fortë prej mbi 10% të numrit të klientëve gjatë viteve të fundit, ndërkohë që kjo rritje e klientelës nuk është shoqëruar me investimet e nevojshme për të përballuar kërkesën e re.
Privatizime të ngjashme dështojnëPrivatizimi i Sistemit të Shpërndarjes, vlerësohet nga qeveria si zgjidhje e problemit të vjedhjeve të energjisë elektrike. Por disa eksperienca të ngjashme gjatë viteve të fundit kanë dështuar. Në vitin 1995, zona e Shkodrës, ajo e Vlorës dhe Elbasanit u privatizuan pjesshëm, një proces që thjeshtë sa rriti humbjet. Por shembulli më dramatik i dështimit në shërbimet publike, është Ujësjellësi i Elbasanit. Ndërmarrja u dha me koncesion te gjiganti gjerman i këtij sektori “Berlinwasser”, u financua me 20 milionë euro kredi nga fondet e qeverisë dhe pas kryerjes së investimit, u ble përsëri nga qeveria kundrejt vlerës simbolike të 10 mijë lekëve. Privatizuesi nuk pati për detyrë vetëm mbledhjen e faturave të ujit, por edhe menaxhimin e investimeve për zgjerimin e kapaciteteve të furnizimit. Duket se dështoi në të dyja.
HEC-et e vegjël, një biznes fitimprurës
Vitin e kaluar, një rregullore e re për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e vegjël, e ktheu këtë sektor të ekonomisë në më fitimprurësin në vend. Enti Rregullator i Energjisë miratoi një çmim joshës prej 6.5 lekësh për kWh, çmim që merr për referencë mesataren e çmimit të importit të KESH. Metodologjia e mëparshme, e cila vijon të zbatohet për hidrocentralet e privatizuara ose të dhëna me koncesion më herët, kalonte përmes procedurave burokratike të analizës së kostos dhe konceptit të “normës referuese të fitimit”. Edhe me metodologjinë e mëparshme, HEC-et e vegjël qenë shumë fitimprurës. Dje, Avokati i Prokurimeve, një institucion i ri pa funksione vendimmarrëse, dorëzoi një raport në Kuvend, duke njoftuar se ankimet kryesore që kanë mbërritur aty, lidhen me procedura të tejzgjatura në licencimin për ndërtimin e hidrocentraleve të reja. Më herët, kompanitë e interesuara për këtë treg, ose ato që operojnë sakaq, qenë ankuar te Autoriteti i Konkurrencës për diskriminimin tarifor të zbatuar mes operatorëve të mëhershëm dhe operatorëve të rinj. Tregu i prodhimit privat të energjisë elektrike, arriti gjatë vitit të kaluar në rreth 5 milionë dollarë. Ai përbën ende vetëm në 2% të totalit të tregut, megjithatë, pritet që në vitin e ardhshëm, në treg të hyjnë disa dhjetëra operatorë të rinj e për pasojë, sasia e parave që KESH do të paguajë për prodhuesit e vegjël, do të rritet ndjeshëm.
KESH del me humbjeTermocentralet e vegjël nuk janë një zgjidhje strategjike për krizën energjetike në Shqipëri. Në rastin më të mirë, ato do të furnizojnë vetëm një pjesë shumë të papërfillshme të energjisë së konsumuar. Por ndërkohë, tarifa favorizuese prej 6.5 lekësh për kWh, nënkupton humbje financiare për KESH. Korporata, e cila e shet energjinë me çmim mesatar prej 8.45 lekësh, do të dalë me humbje në blerjen e energjisë nga prodhuesit e vegjël, humbje që mund të shkojnë në dhjetëra milionë euro në vit. Situata bëhet më e papranueshme, duke marrë parasysh faktin se hidrocentralet kanë kosto shumë të ulët të prodhimit dhe se subvencionimi i tyre, është krejtësisht i pavend. Në vendet europiane si Gjermania, qeveria subvencionon prodhimin e energjisë me burime alternative si energjia eolike apo ajo diellore, por këto lloj energjish kanë kosto shumë herë më të larta sesa burimet konvencionale. Në Shqipëri po subvencionohet një burim konvencional që ka kosto reale shumë të ulët, konkurron me kostot e termocentraleve bërthamore.
Problemet në licencimSipas legjislacionit aktual, kompanitë që kanë një ide se ku mund të ndërtohet një termocentral i ri, paraqesin idenë pranë autoriteteve. Qeveria hap një tender për ndërtimin e hidrocentralit, idenë për të cilën e ka dhënë kompania private. Kompania private fiton disa pikë më shumë se konkurrentët në tender, për shkak të idesë. Në total, nga të dhënat ekzistuese, nuk ka informacion që deri më sot, tenderin ta ketë fituar një kompani e ndryshme nga idedhënësi, duke e kthyer konkurrimin në një procedurë formale.