Deklarata e gazetarëve, debate në Kuvend
Deklarata e 120 gazetarëve kundra kryeministrit Sali Berisha ka hapur debate në senacën e sotme plenare që ka filluar në orën 10:30. Gazetarët në atë deklaratë kanë firmosur se kryeministri kohët e fundit po udhëheq një fushatë denigruese ndaj medias shqiptare, duke tejkaluar gjithë standardet etike, politike dhe njerëzore, deri tek përpjekjet e fundit për të poshtëruar vdekjen tragjike të një prej krijuesve më të suksesshëm në historinë e medias shqiptare, presidentit të “Top Channel”, Dritan Hoxhës.
Këtë deklaratë deputeti i PBLD-së, Arjan Starova e quajti “një nismë të 3-4 gazetarëve të cilët kërkojnë të merren me politikë brenda mureve mbrojtëse të gazetarisë”. Sipas tij kjo deklaratë është “tregues i papërmbajtur i mllefit të medieve ndaj kryeministrit”.
Ndërkohë deputeti i PS-së, Alfred Dalipi, është shprehur se “nuk është fajtore media sepse ka nxjerrë në dritë të vërtetat e kësaj qeverie”. “A është fajtore media që tregoi te sytë e gjithë shqiptarëve tragjedinë e Gërdecit dhe bëri të pamundurën për të zbuluar autorët, midis të cilëve ishte dhe familja e kryeministrit?” – tha Dalipi. “A ishte fajtore media se publikon cdo ditë raporte të ndërkombëtarëve që e rendisin shqipërinë si kampione të korrupsionit, kriminalitetit dhe varfërisë ekonomike?”. “A është fajtore media se kërkon lirimin nga detyra e drejtorit të tatimeve Arben Sefgjinin, i cili është i akuzuar për një vrasje makabër?”. Dalipi përfundoi me faktin se Shqipëria nuk mund ti kërkojë Brukselit të hapi dyert për tu futur në Europë kur qeveria që është në krye nuk ka të njëjtën filozofi me të.