Revansh hakmarrës
Lidershipi i PD-së prej mëse shtatë javësh është futur në një betejë mediatike, me të gjithë zërat kundër, duke i shndërruar ato në sulme të egra dhe që të kujtojnë frymën e qeverisjes së parë të saj në mesin e viteve ’90. Në qendër të sulmeve është vënë media vendase, e cila pas tragjedisë së Gërdecit, përpos pasqyrimit të ngjarjes, ka ngulmuar edhe ndëshkimin e fajtorëve të krimit qeveritar. Sulmet nuk kanë përjashtuar as shoqërinë civile, e cila i është bashkuar pushtetit të katërt, duke kërkuar edhe sensibilizimin e komunitetit ndërkombëtar për pasojat që do të ketë vijimi i kësaj mënyre qeverisjeje në Shqipëri, për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, që sheh drejt anëtarësimit në NATO dhe marrjes së ftesës si vend kandidat për në Bashkimin Europian.
Retorika agresive dhe jonjerëzore që PD-ja e drejtuar nga z.Berisha përdori tre ditët e fundit për mediat, vetëm mori shkas nga vdekja aksidentale e manjatit të medias, Dritan Hoxha. Por në thelb, është shprehje e vrerit të akumuluar shtatë javët e fundit, kur mediat kritike ndaj qeverisjes, po venë në dukje kancerin që po gërryen qeverisjen vertikale të PD-së, e cila zbaton verbërisht direktivat politike të një individi të paaftë për të prodhuar sukses dhe të vënë poshtë nga pesha e dhjetëra mashtrimeve elektorale, që do mjaftonin për t’i hequr vizën në çdo vend normal të planetit.
Më 19 mars 2008, vetëm 4 ditë pas tragjedisë së përgatitur nën kujdesin e autoriteteve shtetërore në Gërdec, Kryeministri i quajti mercenarë reporterët që raportonin nga zona e shpërthimit, që mblidhnin qindra dëshmi që vinin me shpatulla për muri kabinetin qeverisës dhe të gjitha ministritë e linjës apo agjencitë e tij.
Në fakt media, duke u bazuar në sjelljen e pastragjedisë, pa dashje kishte bërë edhe parashikimin që nuk kishte mundur ta bënte as më vizionari në PD: se ashtu si beteja më e mirë është sulmi, qeveria e z.Berisha do të përdorte kartën e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, për të nxjerrë dhëmbët si qeverisje që punon për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike; se pas angazhimit fillestar, ashtu siç bën krimineli për të rregulluar vendin ku ka kryer krimin, qeveria do të linte viktimat e Gërdecit jetime në tragjedinë që u kish ardhur nga qeveria; se pësimi nga masakra e Gërdecit nuk do të bëhej mësim për autoritetet shtetërore, që të bënin kthesë në keqqeverisjen e ofruar për shqiptarët para 15 marsit 2008 dhe, së fundi, se qeveria do të jepte shembuj konkretë për seriozitetin që duhet të ketë në marrëdhëniet me vendet që i kanë ndenjur afër Shqipërisë.
Për fatin e keq të qeverisë së z.Berisha, hamendësimet e medias shqiptare pak javë më parë, sot janë realiteti që i errëson sytë piramidës qeverisëse. Ditët e fundit, Kryeministri është sulur të presë shirita përurimesh në disa vepra publike, që janë investime të pushtetit vendor, për të ngritur lart vizonin e kabinetit qeverisës.
Por krateri i Gërdecit, vepra më antipublike që një qeveri mund t’u bëjë shtetasve të vet, është ende në gjendjen e 15 marsit. Në mënyrë ironike, Shqipëria ka dërguar një kompani demontimi municionesh në Bosnje, por nuk ka një plan shqiptar për pastrimin e zonës së kthyer në një rrezik vdekjeje. Mijëra të pastrehë janë në mëshirë të ndihmave qeveritare, pa të cilat nuk mund të nisin rindërtimin e banesave. Qindra biznese të shkatërruara presin gjithashtu lëmoshën qeverisëse për të dalë nga kolapsi.
Por fakti më domethënës që ka denoncuar media që sulmohet sot, është shmangia e objektit të diskutimit që nuk mund të mbyllet: vonesa me sa është e mundur e çuarjes para drejtësisë të atyre që gatitën krimin në Gërdec. Në pararojë është Kryeministri, i cili edhe shtatë javë pas krimit qeveritar ende nuk i është përgjigjur kërkesës së deputetëve të opozitës dhe opinionit publik pas tyre, se cili ishte roli i tij në biznesin qeveritar të municioneve.
Kryetarja e Kuvendit prej shumë ditësh po zgjat vizitën në Bruksel, në një tentativë që përkthehet në Tiranë si lodhje in extremis të atyre që ngulmojnë në heqjen e mandatit të deputetit Mediu, ministër Mbrojtjeje në kohën e Gërdecit, duke sfiduar hapur autoritetin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Aspekti tjetër dëshpërues që vetëdenoncon qeverinë është status-quoja në mënyrën e bërjes së qeverisjes në vend, me të njëjtën frymë dhe me të njëjtën mënyrë si prej shtatorit 2005 kur u mandatua kabineti qeverisës. Është më e madhe rrumpalla mes aleatëve në qeverisje që kontrollojnë dikastere të rëndësishme, falë formulës së votave në Kuvend që përbëjnë shumicën e brishtë parlamentare, se sa zbatimi në praktikë i premtimeve elektorale të dhëna tre vite më parë.
Mediat vijojnë të denoncojnë gërdecizimin e ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare, pasojat e të cilës do të ishin shumë më të rënda dhe me pasoja të pariparueshme për vendin. Pikërisht, nxjerrja lakuriq e “mbretit” aktual të pushteteve në Shqipëri, reflektohet në kundërsulmin e javëve të fundit, i cili nuk e shpëton qeverisjen nga llumi ku është zhytur, por vetëm e fundos atë edhe më thellë. Dhe ky nuk është faji i pushtetit të katër, por i pushtetit të papërgjegjshëm që është ulur këmbëkryq në lidershipin e PD-së.