KESH-i depoziton energji në Greqi si rezervë për thatësirën
Pas Kosovës, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur depozitimin e energjisë elektrike edhe në Greqi. Drejtori i Divizionit të Prodhimit në KESH, Muharrem Stojku, bën të ditur se depozitimi po bëhet nëpërmjet kompanisë “Atel”. E gjithë energjia e depozituar si në Kosovë, ashtu edhe në Greqi, do të merret gjatë periudhës së verës, atëherë kur vendi përfshihet nga thatësira. Situata e mirë hidrike në vend ka mundësuar krijimin e një rezerve energjetike, e cila llogaritet në 1,4 miliardë kilovat-orë. Kjo energji do të jetë burimi kryesor për furnizim pa ndërprerje të konsumatorëve me energji gjatë muajve në vijim. Paralelisht me krijimin e burimeve, KESH-i po planifikon investime edhe në hidrocentrale, me qëllim rritjen e sigurisë në prodhimin e energjisë. Sipas Stojkut, do të investohen në hidrocentrale 30 milionë euro që financohet nga qeveria e Zvicrës, për një periudhë 3-4-vjeçare. Investimet e planifikuara në hidrocentrale kanë marrë miratimin e donatorëve të huaj. KESH-i po bën aktualisht studimin, mbi bazën e së cilit do të ndërhyhet me investime dhe brenda 3 viteve, në hidrocentralet kryesore mbi lumenjtë Drin dhe Mat do të garantohet siguria maksimale. Siguria e digave mbetet një problem shqetësues për KESH-in, pasi që nga koha e ndërtimit të HEC-eve mbi Drin, investimet për këtë qëllim kanë qenë minimale.
7 Maj 2008